Ka përfunduar takimi i ekipit negociator me Federica Mogherinin, Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian.
Pas takimit, kryesuesit e ekipit negociator, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj kanë thënë se kanë marrë mesazh që duhet të punohet me orar më të ngjeshur në pjesën e parë të vitit për çështjen e dialogut.
Ahmeti ka thënë se “është e qartë që ka pasur bisedë edhe me SHBA-në e Rusinë, lidhur me arritjen e ndonjë marrëveshjeje”.
Ka shtuar se “çdo marrëveshje e pranueshme nga dy shtetet, do të pranohet edhe nga Mogherini nëse është sipas vlerave të BE-së”, duke përjashtuar ridefinimin e kufijve në vija etnike.
Edhe Ahmeti edhe Limaj kanë thënë nga Brukseli se i kanë bërë të qartë Mogherinit që Kosova përfaqësohet me ekip dhe jo me individë.
“E bëmë të qartë. Jemi këtu me mandat kushtetues dhe të Parlamentit. Gjithashtu, ne do të diskutojmë dhe debatojmë të arrijmë te dialogu. Dialogu do të vazhdojë në nivel të shteteve. Kosova ka ekip negociator. Jemi republikë parlamentare dhe parlamenti na ka mandatuar. Dialogu ka një adresë. Çdo ftesë që kanë, përfshirë presidentin ia bëmë të qartë që të na dërgoni delegacionit shtetëror. Kur ka takime të presidentëve, ka. Kur ka të ekipeve, ka të ekipeve. Ne kemi përgjegjësinë për të negociuar marrëveshjen, në konsultim me krerët tjerë shtetërorë”, kanë thënë më tej krerët e ekipit negociator.
Kanë thënë se është përmendur edhe çështja e liberalizimit dhe e taksës. “Taksa nuk hiqet në të thatë”, ka thënë Ahmeti duke bërë të ditur se Serbia duhet të ndalë politikën kundërshtuese ndaj Kosovës. “Taksat janë i vetmi mjet për të bërë presion mbi Serbinë”.