Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në një vizitë pune tek ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.
Pas takimit, të dy kanë mbajtur një konferencë për media, raporton lajmi.net.
Aty Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e heqjes së taksës, si dhe deklaratat e presidentit Thaçi lidhur me këtë.
“Taksa është vendim i Qeverisë dhe është një vendim legjitim,për të cilin janë informuar të gjitha Qeveritë e vendeve tjera. Nëse na njeh Serbia sot e heqim”, ka thënë ai.
Tutje, Haradinaj ka folur edhe për grevën e minatorëve të Trepçës për të cilën ka thënë se kërkesat e punëtorëve janë të drejta dhe se kjo punë do të rregullohet.
“Trepca ka qenë peng i Kosovës dhe situatës politike. Mendoj që jemi afër ta zhbllokojmë komplet këtë peng. Mendoj që do ta gjejmë zgjidhjen bashkë sepse minatorët kanë të drejtë në kërkesat e tyre”, ka thënë ai.
Duke komentuar deklaratat e presidentit Thaçi për taksën dhënë për Washington Post, Haradinaj ka thënë se të njëjtën nuk e ka parë dhe rrjedhimisht nuk do ta komentojë.
Siç tha ai, Qeveria i ka përgjegjësitë e veta.
“Për presidentin më keni zënë ngusht sepse nuk i kam parë intervistat, nuk i kam përcjellur. Institucioni i presidentit është institucion i presidentit dhe Qeveria i ka përgjegjësitë e veta”, ka thënë ai.
Kujtojmë, se presidenti Thaçi për Ëashington Post kishte thënë se Kosova është e gatshme ta shqyrtojë vendimin për taksën nëse asaj i tregohet një rrugë e qartë për marrëveshjen me Serbinë.