Fenomeni tani i njohur i “çnjohjes” së pavarësisë së Kosovës po shkon duke u rritur nga numri i shteteve që po e bëjnë një gjë të tillë, tani Republika e Palauit e ka tërhequr njohjen, kështu të paktën ka njoftuar sot ministri i Jashtëm serb, Ivica Dacic.
Ndërkaq që ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, si rrugë të vetme ndaj këtyre ka zgjedhur heshtjen dhe të mos deklarohet rreth “çnjohjes” së pavarësisë së Kosovës, një nga këshilltarët e tij politik Fatmir Haxholli, ka vendosur që të flas në lidhje me këtë.
Haxholli i’u është përgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Dacic, duke thënë se Republika e Palauit akoma nuk e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës sipas tij këto janë pretendime të shtetit serb për ta dëmtuar Kosovën, si dhe për ta përdorur si kartë për koncesione në dialog.
Ai ka treguar se ministri Pacolli ka biseduar me Presidentin e Palauit në lidhje me këtë rast, por nuk ka treguar se cila është e vërteta dhe se a ka tërhequr edhe zyrtarisht ky shtet njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Hacholi ka shtuar se është ende herët nëse edhe Saint Kitts dhe Nevis do të tërheqë njohjen, por, sipas tij, “ka gjasa që kjo të ndodhë”, ka thënë për KTV.