Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, teksa ka folur për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se nga bashkësia ndërkombëtare u është kërkuar që ta japin një pjesë të veriut të vendit për ta marrë njohjen nga Serbia.
Përveç kësaj, Haradinaj ka thënë se u është kërkuar edhe krijimi i një Republike brenda Republikës.
Ndërkohë teksa ka folur për deklaratën e Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, që taksa të hiqet për 120 ditë që të ruhet partneriteti me ShBA-të, Haradinaj ka thënë se ky partneritet nuk është menduar kur kanë dashur ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale.
“Ndërkombëtarët na kanë thënë e çka jepni ju me ju njoftë Serbia, vazhdimisht këtë pyetje na e kanë bë. Ne i kemi thënë po i kemi 20 mijë gra të dhunuara, i kemi 17 mijë njerëz të vrarë civilë, ende nuk janë kthyer, një ekonomi të shkatërruar e plotë të tjera, kam thënë ne e kishim ofruar një pajtim, nuk po themi me harrua po me u pajtua. Kanë thënë nuk mjafton, nuk mundeni me këtë me e marrë njohjen. Çdo herë kështu na kanë thënë në zyre edhe kur nuk kam qenë kryetar Qeverie edhe kur jam bërë. Atëherë kanë lyp çka duhet me jep ne dhe kanë lyp ta zëmë që ne me dhënë pak tokë në veri atje ku i kemi do miniera, do pasuri. Ndoshta sot nuk na hyjnë në punë po ndonjëherë ndoshta janë shumë jetike për ne. Kanë thënë jepne ju do tokë se ju njohin, ose mos e jepshit do tokë hajt jepne një Republikë brenda Republikës tuaj, një ‘Zajednicë’. Unë i ndodhur në kë to situata e kam pa që me marr njohjen pa dhënë diçka nuk po bojka edhe pse e kemi dhënë Ahtisarin, edhe ato të drejta që i kanë komunitetet. Për këtë arsye e mendojmë shumë se është shumë normal besoni, nuk është diçka që po e teprojmë na”, tha ai.
Vendosja e taksës sipas Haradinajt është një e drejtë në të gjithë botën moderne.
Këtu ka përmendur që Amerika dhe Kina janë në një luftë tregtare.
Kreu i Qeverisë u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë në vend që të jenë njëzëri se nëse Serbia do ta njohë shtetësinë e Kosovës, atëherë Kosova do ta heqë takën prej 100 përqind ndaj mallrave të tyre.
Duke komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, për heqjen e taksës për 120 ditë në mënyrë që të ruhet partneriteti me SHBA-të, Haradinaj tha se nuk u mendua për miqësinë amerikane kur u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale në Kuvend.
“Nëse ne ja qelim derën për 120 ditë nuk kemi nevojë ma me e qitë, se ajo nuk e ka më vleftën e vet. Se ai mall që hyn për ato 120 ditë është këtu për 10 vjet, nuk mundemi 10 vjet ta mbajmë taksën se edhe ashtu 20 vjet na kanë shkuar pa i kry punët. Është mirë me kanë të sinqertë me miqtë tanë, me Amerikën, me ju tregu po na dhemb, pse po i bëjmë këto. Nuk e kemi prej lazdrimit, kur e kemi pas për veti se iu tutshim Gjykatës Speciale u munduam me e rrëzu ligjin, në Parlament. Edhe unë kam dashur me rrëzu dhe nuk na e nijke që thojke amerikani po na e ngulni thikë mbas shpine. Nuk na e nijke për miqësinë dhe të njëjtit njerëz kemi qenë, Hashimi, Kadria, Ramushi, të njejtë jemi kanë, pesë pare nuk i jepshim. Ata çdo ditë dilshin na bëjshin presion o ma mos e prekni ligjin se kundër nesh është, na hiç se e kishim për veti. Ne dojshim me rrëzu dhe veç nuk i bënëm votat se e kishim rrëzu, nuk jemi merzitë hiç për miqësinë që sot po dojmë me e rujt”, tha ai.
Haradinaj ripoentcoi se nuk do të hiqet taksa pa njohje të Kosovës nga Serbia dhe se kanë kaluar 20 vjet dhe Kosova ka mbetur peng në këtë drejtim.
“Mani burra se të njëjtit njerëz kemi qenë, para një viti na ka pa populli çka kemi qenë në gjendje me bë kundër partneritetit për ta shpëtuar vetveten. A sot kur po dojmë me e nxjerr njohjen sot po themi ndryshe, nuk është kështu. Besomni e kemi vonuar vetën shumë 20 vjet. Është mirë Kosova me u bë bashkë, ne me u ul bashkë me thënë dëgjoni nuk e jepim tregun më Serbisë, unë nuk kam me ia jep tregun më Serbisë pa e marr njohjen. Le ta din i vendit, i jashtit kushdo. A e dini pse, se janë bë 20 vjet edhe sa vjet dojmë me mbet na vjerrë, pa e nxjerr të drejtën tonë, pa e nxjerr të drejtën e heronjve që i kujtojmë sot dhe pa ia krijuar një të ardhme të rinjve tanë siç i ka hije, tha ai.
Kryeministri potencoi kërkimi i të drejtave për vendin tonë, nuk do të thotë se po kundërshtohet SHBA-ja.