Akuza për manipulim të procesit të vlerësimit të teksteve të reja shkollore kanë drejtuar recensentë dhe autorë shkrimesh ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Ata thonë se MASHT-i me qëllim të favorizimit të individëve dhe shtëpive të caktuara botuese ka përzgjedhur njerëz joadekuatë në këtë proces, shkruan sot “Koha Ditore”. Kërkesa e tyre është që Ministria t’i bëjë publike të gjitha vlerësimet e teksteve që janë bërë deri tash nga recensentët.
MASHT-i nuk i është përgjigjur gazetës që nga e premtja rreth dyshimeve për manipulim të këtij procesi.
Vlerësimi i teksteve ka nisur nga muaji shkurt në njërin nga hotelet e Durrësit të Shqipërisë. Ministria ka shpenzuar mijëra euro për akomodimin e një numri të madh te personave që kanë qenë të përfshirë në këtë proces.
Në fazën e parë janë vlerësuar tekstet për parashkollorë, për klasat 1, 6 dhe 10, ndërkaq, në fazën e dytë, që ka nisur javë më parë, do të vlerësohen tekstet e klasave 2,7 dhe 11.