KQZ-ja ka përfunduar procesin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje dhe të kandidatëve të pavarur. Sipas Institutit të Studimeve politike në këto zgjedhje për herë të parë konkurrojnë më pak parti dhe më shumë kandidatë për pavarur për deputetë.
“Në KQZ janë regjistruar 37 parti politike, prej të cilave 5 parti konkurrojnë për herë të parë (Partia Lëvizja për Ndryshim (J.Topalli), Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare (M.Murrizi), Partia Bindja Demokratike (Astrit Patosi), Partia Aleanca Demokracia e Re (Edmond Stojku), Partia Nisma Thurje (Endrit Shabani)). Gjithashtu janë regjistruar 6 komisione për kandidatë të pavarur: Boiken Abazi (Tiranë), Dragua Ceka (Tiranë), Elton Debreshi (Dibër) Iljaz Shehu (Lezhë), Pal Shkambi (Shkodër) dhe Plarent Aleksi (Berat)”, shprehet ISP.
Në krahasim me zgjedhjet 2017 dhe 2013 janë përkatësisht 12 dhe 31 parti politike më pak, por ka rritje në raportet 5:1 dhe 5:2 për kandidatët e pavarur dhe 5:2 për partitë e reja politike. Regjistrimi i subjekteve nuk do të thotë se janë automatikisht parti që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe për rrjedhojë, emrat e tyre do të jenë në fletën e votimit. Deri më 5 mars 2021 do të ketë mundësi të krijohen koalicione politike (jo në formën e koalicionit tradicional, por në formën e një subjekti me listë të përbashkët).
Por procesi i finalizimit që konsiston me përfshirjen me fletën e votimit ka edhe disa kushte, pasi partive iu duhet të kandidojnë në çdo zone me mbi 140 kandidatë për deputetë.
“Rruga nga regjistrimi i subjekteve dhe deri tek fleta e votimit, është e gjatë dhe sjell ndryshime. Në zgjedhjet e vitit 2017, p.sh, u regjistruan 49 parti, por vetëm 18 prej tyre ishin në fletën e votimit duke pasur kandidatë në çdo zonë. Kjo sepse vetëm partitë që paraqesin kandidatë në të gjitha zonat + 2 kandidatë shtesë për secilën zonë dhe + 3 kur ka përfaqësim gjinor. Pra, partitë nuk do të paraqesin 140 kandidatë, por midis 165-174 kandidatëve në listat shumemërore, ku për secilin kandidat duhet një dosje me dokumente. Për kandidatët e pavarur secili duhet të sigurojë x 3000 nënshkrime, dhe për partitë jo parlamentare duhen rreth 5000 nënshkrime paraprake”, thuhet në reagimin e ISP-së.
Në Shqipëri me interes është prit fakti që në zgjedhjet në Shqipëri do të angazhohej Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës. Partia që ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit ka hapur një degë të sajën në Shqipëri dhe ka shpallur synimin për të konkurruar në zgjedhjet e 25 prillit.
Por nga ajo që shihet në listën e partive të regjistruara deri më tani, Vetëvendosja nuk ka konkurruar si subjekt politik, por ka preferuar një variant tjetër.
Skema është me konkurrimin me kandidatë të pavarur. Kështu si të pavarur janë Boiken Abazi dhe Iljaz Shehu. Për Tiranën, Abazi është kreu i Lëvizjes së Vetëvendosjes. Disa ditë më parë si Abazi dhe Shehu u shpallën si kandidatë për deputetë të kësaj lëvizjeje.
Kjo mënyrë e konkurrimit mund të jetë një taktikë për të shmangur ndonjë përjashtim nga konkurrimi i Vetëvendosjes me siglën e saj. Mbase kjo mund të jetë një testim i Vetëvendosjes për këto zgjedhje, për të synuar më pas konkurrimin për betejat e ardhshme elektorale.
Vetëvendosja shihet si forcë politike kundërshtare ndaj PS-së, madje me qëndrimet e saj shpeshherë ka qenë objekt i përplasjeve me kryeministrin Edi Rama. Lëvizja Vetëvendosja në Tiranë ka qenë pjesë e protestave si për kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, ashtu dhe në protesta të tjera që janë mbështetur nga opozita./ Gazeta Shqip