Qeveria e re e presidenti javën e ardhshme, këta persona pritet të emërohen ministra

Albin Kurti e Vjosa Osmani, dyshja që i fitoi bindshëm zgjedhjet e 14 shkurtit, po i vazhdojnë konsultat me partitë politike edhe këtë javë, derisa tashmë LV’ja e Lista “GUXO” janë në përfundim të përgatitjeve për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Glauk Konjufca pritet që të emërohet në krye të Kuvendit, post ky që e kishte mbajtur edhe pas marrëveshjes së nënshkruar me Isa Mustafën në koalicionin me LDK-në.

Ai nuk ka mohuar se është vendosur që të emërohet në këtë pozitë, derisa vetë ka thënë se tashmë, bashkë me Osmanin, kanë finalizuar 80% të kabinetit qeveritar.

“Nuk i kemi bërë publike deri tash, ndonëse konsideroj se mbi 80 për qind e qeverisë deri tash dihet. Publike do t’i bëjmë kur të jemi tek momenti konkret i zgjedhjes së qeverisë”, ka thënë mbrëmë Konjufca.

Pos Konjufcës, që pritet të emërohet në organin më të lartë të legjislativit në vend, në javën që vjen mund të thirret seanca për të votuar edhe për presidentin e ri të Kosovës, derisa, me marrëveshjen e nënshkruar mes Osmanit dhe Kurtit, LVV-ja i bie që do të propozojë Vjosa Osmanin në këtë pozitë.

Osmani e Konjufca, nuk janë të vetmit emra që tashmë gati se dihet se do të emërohen nëpër pozita të rëndësishme të shtetit.

Kurti si kryeministër në krye të diplomacisë po raportohet se do ta emërojë Donika Gërvallën, që vjen nga Lista “Guxo”.

Një post ministror nga kjo listë do ta marrë edhe një person, derisa, emrat që po diskutohen për t’u bërë ministra janë Faton Peci dhe Haxhi Avdyli.

Avdyli po diskutohet se mund të emërohet Ministër i Shëndetësisë, ani pse për këtë pozitë është propozuar edhe ish-ministri i këtij dikasteri Arben Vitia. Vitia mund të mos propozohet ministër, vetëm për faktin se në tetor të këtij viti, ai do të propozohet nga Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës.

Në krye të Ministrisë së Drejtësisë do të kthehet Albulena Haxhiu, ndërsa si udhëheqës i Ministrisë së Punëve të Brendshme pritet të propozohet nga Kurti, Xhelal Sveçla.

Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci do të jetë në krye të Ministrisë së Arsimit. Nga viti 2014 deri më 2017 ajo kishte qenë drejtoreshë e Drejtorisë Komunale për Arsim në Prishtinë, derisa, gjatë legjislaturës së VI-të si deputete e Kuvendit ka qenë anëtare e Komisionit për Arsim.

Besnik Bislimi dhe Rozeta Hajdari pritet të kthehen në pozitat që kanë pasur në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë.

Janë edhe disa emra tashmë ta pakonfirmuar që po përflitet se do të emërohen në Ministrinë e Kulturës, të Bujqësisë, të Infrastrukturës e Ministrisë së Mbrojtjes.
Numri i ministrive sipas edhe dakordimeve që janë bërë qysh herët nga dyshja që garoi së bashku në zgjedhje mund të mos e kalojë numrin 12-të, ndërsa në krah të Kurtit si zëvendëskryeministra do të emërohet një përfaqësues i LVV-së dhe një përfaqësues i Listës “GUXO”.

Sipas matematikave të deritanishme, që nuk janë mohuar e as konfirmuar ani pse janë diskutuar në opion, nëse numri i ministrive do të jetë 12 atëherë ndarja do të jetë si në vijim Albin Kurti – kryeministër, një zëvendëskryeministër nga Lista Guxo, një nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa 2 ministri do t’i shkojnë Vjosa Osmanit, 2 pakicave dhe pjesa tjetër partisë së Albin Kurtit.

Nga zyra për media e këtij subjekti kanë thënë se janë në fazën e takimeve me subjekte, e sapo të caktohen personat në pozitat përkatëse do t’i njoftojnë mediat.
“Aktualisht jemi në fazën e takimit të subjekteve parlamentare, sapo të vjen koha e do të caktohen personat në pozicionet përkatëse do ta njoftojmë publikun dhe mediat”, thonë nga LVV-ja.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani pritet që deri të premten t’i përfundojnë takimet me partitë politike. Sot do të takohen me përfaqësuesit e goranëve, ndërsa, të premten me kreun e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhikun.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme