Fejzi Hajdari botues i Gazetës Lajm, ka folur në një Intervistë ekskluzive për Agjencinë më të madhe bullgare të lajmeve BGnes.
Më poshtë ua sjellim intervistën e shqipëruar:
Ndiqeni videon në Youtube: https://www.youtube.com/watch?v=CirK_mHVGHA
-Cfare po ndodh ne BDI dhe cilat jane gabimet me te medha te Ali Ahmetit?
Fejzi HAJDARI: Gabimi më i madh i Ali Ahmetit, sipas mendimit tim, është se tani një kohë të gjatë gjendet i rrethuar nga bashkëpunëtorë që e kanë shkëputur nga realiteti politik, ekonomik dhe gjeostrategjik. Rreth tij është një ekip njerëzish të cilët ia pamundësojnë ta vërejë interesin real jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por edhe interesin shtetëror të Maqedonisë së Veriut.
Nuk i ka hije liderit të një partie shqiptare në pushtet të heshtë deri sa Maqedonia e Veriut me disa fqinj kultivon marrëdhënie konkrete dhe substanciale, kurse me fqinjët tjerë vetëm marrëdhënie të mira deklarative.
Unë sinqerisht shprehi keqardhje që në këto momente kur Bullgaria po angazhohet të thyejë ndikimin destruktiv të Serbisë në Maqedoninë e Veriut, ne si shqiptarë nuk kemi struktura të shëndosha politike që ndihmojnë këtë proces. Përkundrazi, politika shqiptare ndonjëherë më shumë se forcat politike maqedonase që kanë orientim proserb, i shërben interesit të Serbisë. Duhet të jetë krejtësisht e kundërta.
-Si mund të përmirësohet kjo?
Fejzi HAJDARI: Shumë lehtë. Ja e ftoj publikisht zotëri Ali Ahmetin, le të realizojë një vizitë, qoftë vetëm dy orëshe deri në Sofje. Mendoj se do t’i mjaftojë të shohë se realieti i Maqedonisë së veriut dhe shqiptarëve të këtushëm nuk është vetëm në boshtin Athinë-Beograd, por se është shumë më i gjerë. Nuk jam kundër bashkëpunimit të mirë me asnjë shtet fqinj. Por Ahmeti është mirë të të përcjellë shembullin e Arbër Xhaferi, i cili me vizitat e shpeshta në Sofje, kishte arritur të krijojë raporte edhe me qarqet më të larta shtetërore në Bullgari, si ish presidentin Stojanov dhe ish kryeministrin Kostov. Le të lexojë historinë reale, e jo historinë e sajuar nga historianë të rrejshëm që e vizitojnë çdo ditë në shtabin e tij, dhe do të shohë se afërsia me Bullgarinë nuk e dëmton fare interesin shqiptar as në Maqedoninë e Veriut, e as në Ballkan.
-Cilat jane problemet e partive politike shqiptare ne Maqedoni?
Fejzi HAJDARI: Problem i partive shqiptare në Maqedoni janë se merren shumë me BDI-në dhe me politikat e saj të gabuara. Ky duhet të jetë vetëm një segment i veprimit të tyre, kurse segmenti kryesor në të cilin duhet të koncentrohen, është qe paralelisht me kritikat, të ofrojnë edhe zgjidhje. Duhet të pranojmë se problem tjetër është se partia shqiptare në pushtet, BDI, ka përkrahjen edhe të pushtetit edhe të opozitës maqedonase. Ata e lavdërojnë BDI-në, kur e dinë se lëvdatat i shkojnë në favor, ata e kritikojnë kur vlerësojnë se kritika i shkon në favor. Partitë maqedonase, heshtin para dyshimeve për afera korruptive të funksionarëve të BDI-së, dhe i shfrytëzojnë te gjitha mekanizmat që ato afera të mos ndriçohen, por t’i ruajnë në sirtarë për shantazhim në rast nevoje. Kjo e bën BDI-në të varur nga partitë maqedonase, por i krijon avantazh politik dhe financiar, kundrejt opozitës shqiptare.
Prandaj them se kjo është një lojë jokorrekte e partive maqedonase kundrejt shqiptarëve. Ata nisen nga logjika se, sa më pak rezultate të japë një parti shqiptare me veprimin e vet në pushtet, aq më mirë do të jetë për maqedonasit dhe për shtetin. Është logjikë krejtësisht e gabuar. Duhet të ndiqet logjika e shëndoshë se sa më shumë një parti shqiptare kontribuon për interesin e shqiptarëve, aq më shumë kontribuon edhe për shtetin, sepse edhe ne shqiptarët jemi qytetarë të këtij vendi.
Kishim nje periudhe kohore kur pjese e qeverise ishin partitë aktuale shqiptare që sot janë në opozitë. Ata dhanë shembull mjaft të mirë me punën e tyre, si në aspektin e menaxhimit të ministrive, po ashtu edhe me transparencën para opinionit. Mirëpo, si duket, dikujt nuk i leverdisë që shqiptarët të jenë shembull për të mirë. Më tepër u leverdisë që politikën shqiptare ta kontrollojnë njerëz që lidhen me afera të ndryshme, njerëz që brenda natës krijojnë pasuri marramendëse dhe që kanë lidhje të dyshimta me botën e krimit dhe korrupsionit.
-A ka ministra shqiptarë në Qeverinë Zaev, të cilët shikojnë në drejtim të Baogradit?
>Fejzi HAJDARI: Nuk dua të flas individualisht me emra, mirëpo punët që i bëjnë me një anë, respektivisht punët që mund t’i bëjnë dhe nuk i bëjnë në anën tjetër, tregojnë favorizim të qartë të interesit të Serbisë në Maqedoninë e Veriut. Ata udhëheqin me resore ministrore që gati cdo vit kthejnë mbrapa miliona euro, mjete financiare te BE’se, që dedikohen për “Korridorin 8”. Ata udhëheqin resore që tani e 20 vite nuk kanë mundur ta ndërtojnë autostradën Shkup-Kosovë, e cila ka vetëm 12 kilometra gjatësi. Kujt i shkon në favor kjo, nëse nuk i shkon Serbisë? Ata mund të flasin sa të duan për marrëdhënie të mira me gjitha vendet fqinje, deklarativisht ata shpeshherë janë të ashpër kundër Serbisë e Greqisë, mirëpo punët që i bëjnë, tregojnë qartë se interesin e cilit vend e favorizojnë./BGNES – ALMAKOS