Ministria e Punëve të Brendshme në mbështetje nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, ka lansuar fushatën “Festo me zemër e jo me armë”.
Kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kolektive dhe ndërgjegjësimin lidhur me pasojat nga keqpërdorimi i armëve të zjarrit dhe rreziqet që sjellin ato.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani dhe njëherësh edhe Koordinator Nacional për Armët e Vogla dhe të Lehta tha se përdorimi i armëve pa leje vazhdon të jetë shqetësim për shoqërinë kosovare dhe institucionet e sigurisë.
“Armët në posedim të paligjshëm nga qytetarët që qarkullojnë në Kosovë, janë shkaktarët kryesorë për pjesën dërmuese të vrasjeve dhe të një sërë krimeve që kanë ndodhur, qofshin ato të dhunës në familje, grabitjeve dhe krimeve të tjera”, tha ai.
Sipas Koordinatorit Nacional për Armët e Vogla dhe të Lehta, Gashani misioni dhe angazhimi ditor i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj vartëse është që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët të avancojmë nivelin e sigurisë në Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht të përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët tanë.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka avancuar suksesshëm në aspektin e konfiskimeve të armëve ilegale dhe municionit dhe vetëm gjatë vitit 2021 janë konfiskuar 1260 armë dhe rreth 42 mijë rrathë municioni i kalibrave të ndryshëm, në krahasim me vitin 2020 ku janë konfiskuar gjithsej 1135 armë.
Ndërsa në anën tjetër zëvendës përfaqësuesi i UNDP-së në Kosovë, Niels Knudsen tha se UNDP synon të paralajmërojë për pasojat e përdorimit të paautorizuar të armëve të vogla dhe të lehta, veçanërisht gjatë festave, si dhe për të reduktuar numrin e incidenteve të lidhura me të shtënat.
Mesazhi i dërguar qytetarëve është se edhe një pëlumb qorr duhet të përfundojë diku dhe ekziston rreziku të rrezikohet jeta e dikujt.
Fushata e cila u lansua sot në Prishtinë, në të njëjtën kohë është lansuar edhe në Shkup.