Në Shkup u zhvilluan aktivitete të shumta për të shënuar Ditën e Alfabetit. Manifestimi qendror ishte nën patronazhin e zv/kryeministrit Artan Grubi, ku dhe u promovua këngë e posaçme për këtë ditë. Në këtë manifestim nuk u tha asnjë fjalë e vetme për shpërfilljen e shpeshtë të shqipes nga institucionet. Nuk u tha asgjë as për nxënësit shqiptarë të Çashkës që edhe sot ishin në shkollë duke mësuar në maqedonisht, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre festonin në shtëpi. Por i pyetur pas përfundimit të ngjarjes, kreu i BDI-së Ali Ahmeti nuk dha përgjigje të drejtpërdrejt, por tha se gardianë të mbrojtjes së gjuhës duhet të jemi të gjithë. Ndërkohë festa e sotme vuri në dukje ndarjet në Bashkimin Demokratik për Integrim. Ndërsa Grubi në Shkup recitonte vargjet e Gjergj Fishtës, Grupi i Zjarrit shkoi në Manastir, për të festuar në Shtëpinë e Alfabetit./Alsat.mk