Shtatë kandidatë në garën për president

Gazetare: Fatlume Dervishi

Mbrëmë në mesnatë skadoi afati për mbledhjen e të paktën 10 mijë nënshkrimeve të nevojshme sipas ligjit, për të arritur kushtin e parë për të hyrë në garën për president. Shtatë janë kandidatët që do të masin forcat më 24 prill.

Profesorja dhe deputetja Gordana Siljanovska Davkova hyn në garë si kandidate e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja dhe partitë e koalicionit. Ajo është në këtë garë për herë të dytë, duke qenë se në vitin 2019, në rrethin e dytë humbi betejën ndaj kundërkandidatit të saj Stevo Pendarovski.

Presidenti Pendarovski në këto zgjedhje për mandatin e dytë ka mbështetjen e LSDM-së dhe partive të tjera të koalicionit.

I treti në listë me më shumë nënshkrime të mbledhura është Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës, kryetar i lëvizjes “E di” dhe ish funksionar i LSMD-së. Pas tij është Stevço Jakimovski, kryetar i Komunës së Karposhit.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani është kandidati i BDI-së në këto zgjedhje. Kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari ka mbështetjen e koalicionit opozitar shqiptar “VLEN”.

“E Majta” në këto zgjedhje presidenciale do të garojë me kandidaten e saj, profesoren Biljana Vankovska.
Tetë kandidatë të tjerë që ishin paraqitur për të plotësuar kushtin e mbledhjes së të paktën 10 mijë nënshkrimeve nga votuesit, nuk arritën të sigurojnë mbështetjen e nevojshme.

Shorti për listën e vetme të kandidatëve do të zhvillohet më 28 mars kurse fushata zgjedhore fillon më 4 prill.
Nëse në rrethin e parë asnjëri nga kandidatët për president nuk e merr shumicën e votave, në rrethin e dytë do të votohet për dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota.

Për president në rrethin e dytë zgjidhet kandidati që fiton më shumë vota në rast se kanë dalë më shumë se 40% e votuesve të regjistruar në listë./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme