Shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA duket se po bënë “hajgare” me përfaqësuesen e Kosovës, shkruan IndeksOnline
E mbani mend se çfarë stresi kishte sjellë ndeshja e parë kundër Finlandës? Këtë më së miri e din përzgjedhësi, Albert Bunjaku i cili në dispozicion kishte vetëm pak lojtarë për këtë takim. Por, për fat të mirë atë ditë FIFA solli konfirmimin për shumicën e lojtarëve vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes.
Kosova ka zhvilluar katër ndeshje deri tani në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”, por problemi i lartë përmendur po vazhdon. Kanë mbetur edhe pak orë deri në fillim të takimit me Islandën dhe ende mesfushori kosovar, Donis Avdijaj nuk ka marr leje për përfaqësimin e Kosovës.
Mesfushori i Schalkes ka një kohë të gjatë që ka aplikuar për të drejtën e përfaqësimit, por kjo ende nuk është konfirmuar edhe pse menaxheri, Bunjaku e konfirmoi se kjo mund të ndodh nesër apo edhe sonte.
Si mund të ndikoj një gjë e tillë, kur lojtari e kupton se mund ta përfaqësoj vendin e tij vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes? Sigurisht që ai mund të ndihet i gëzuar, por në anën tjetër edhe në siklet.
E në këtë situatë po gjenden vetëm futbollistët e Kosovës, pasi ende nuk është dëgjuar apo raportuar se përfaqësuesit e shteteve tjera përballen me diçka të këtij lloji.