Adele flet për jetën e saj private, zbulon betejën me depresionin

E mërkurë, 02 Nentor 2016  –  Sakte.net

Adele nuk flet kurrë për jetën e saj private, veçanërisht kur bëhet fjalë për djalin e saj, të cilin e ka sjellë në jetë në tetor të vitit 2012, me partnerin Simon Konecki.

Por në një intervistë të dhënë së fundmi për “Vanity Fair”, siç transmeton Shekulli, Adele nuk ka nguruar të flasë për betejën e saj të gjatë me depresionin, menjëherë pas sjelljes në jetë të fëmijës së saj.

Këngëtarja është shprehur: “Pësova një depresion të tmerrshëm pasi linda djalin tim dhe kjo gjë më frikësonte shumë. Unë isha paksa në dijeni se pas lindjes, femrat shqetësoheshin se mos lëndonin fëmijë, se nuk dëshironin të ishin me të dhe se nuk ishin duke bërë një punë të mirë por mua më ndodhi e kundërta”.

28-vjeçarja ka shtuar se ajo ishte e fiksuar me djalin. “Ndjeja se nuk bëja mjaftueshëm dhe se kisha marrë vendimin më të gabuar të jetës sime. Depresioni mund të vijë në shumë forma”, vijon këngëtarja.

Adele është shprehur se e kaloi depresionin duke e lejuar veten e saj për një jave rresht, pasditeve, të bënte çfarë të dëshironte pa Angelon.