Mediat greke janë alarmuar për ndërtimin e xhamive në Shqipëri e Kosovë. Ky shtet me dominancë ortodokse, ka reaguar me panikë lidhur me ndërtimin nga Turqia i xhamisë më të madhe të Ballkanit në Tiranë.
“Është pjesë e një projekti në zbatim për përdorimin e fesë si një mënyrë për të hyrë në rajon, shkruan gazetari Tom Ellis për të përditshmen greke “Kathimerini”.
Xhamia e Tiranës do të mirëpresë deri në pesë mijë besimtarë dhe do të përfshijë një bibliotekë, sallë konferencash e një qendër kulturore, shkruan Tch.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e ka quajtur atë një simbol unik të vëllazërisë mes kombeve, gjatë ceremonisë së fillimit të punimeve në 2015-ën. Në xhami do të mbahen edhe kurse të gjuhës turke.
Turqia ka ndërmarrë projekte të ngjashme në Kosovë, përfshirë ndërtimin e 20 xhamive gjatë viteve të fundit.
“Këto nisma nuk janë thjesht një tregues për faktin se Erdogan është i ndjeshëm ndaj fesë. Ato janë thelbi i një plani ambicioz e afatgjatë për promovimin e rolit të Turqisë si kampion dhe mbrojtës të të gjithë myslimanëve në Ballkan”, shkruan Ellis.