Balaj kërkon golin edhe me Kombëtaren

E hënë, 07 Nentor 2016  – Sakte.net  /

E diela futbollistike foli edhe me gjuhën e shqiptarëve. Nga Rusia në Itali gola dhe performanca bindëse nga disa prej lojtarëve të Kombëtares Shqiptare që japin sinjhale të rëndësishme për De Biasin në prag të sfidës delikate kundër Izraelit. Bekim Balaj realizoi dy golat e fitores së Terek Groznit kundër Zenitit duke e ndihmuar skuadrën e tij të ngjitet në vendin e tretë në kampionatin rus. Sulmuesi shkodran po kalon një moment fantastik pasi gjatë këtij sezoni e ka prekur rrjetën 8 herë në 12 ndeshje të zhvilluara, duke kryesuar edhe tabelën e golashënueseve në Rusi. Në një lidhje telefonike për emisionin “Gol Pas Goli”, bomberi shkodran e pranon se tashmë është ambjentuar plotësisht me futbollin rus.

Bekim Balaj…”Jam ndier mirë që në fillim pasi u përshtata menjëherë. E rëndësishme është që të luaj rregullisht dhe të shënoj sa më shumë gola. Aktualisht jemi në vendin e tretë por na presin ndeshje shumë të vështira dhe unë shpresoj të vazhdoj në këtë rrugë”.

Pas suksesit në kampionat, Balaj do të udhëtojë drejt Shqipërisë për sfidën eliminatre kundër Izraelit në “Loro Boriçi”, aty ku shënoi edhe golin e fitores në minutat e fundit ndaj Maqedonisë.

Bekim Balaj…”Kjo është një ndeshje që mendoj se do ta luajmë në sulm dhe besoj se do të kem më shumë topa në dispozicion. Shpresoj të shënoj dhe të arrijmë të fitojmë”.

Nga Rusia në Itali, aty ku po shkëlqen një tjetër shqiptar. Frederik Veseli numëron 5 ndeshje si titullar me fanellën e Empolit, duke fituar besimin e trajnerit. Edhe në sfidën e fundit ndaj Pescaras ku kishte përballë Memushajn dhe Manajn, Veseli bëri një paraqitje pothuajse perfekte. Mbrojtësi kuqezi e pranon se po kalon momente pozitive.

Frederik Veseli…”Për mua çdo ditë është e rëndësishme. Duhet të vazhdoj të punoj sa më shumë dhe të luaj titullar. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për karrierën time pasi kampionati italian dallohet për vëmendjen që i kushton fazës mbrojtëse”.

Në fund, Veseli rrëfen edhe emocionet e përballjes me dyshen Manaj-Memushaj në ndeshjen që u cilësua “derbi i shqiptarëve”.

Veseli…”Jam krenar që në një ndeshje të Serie A luajtën tre shqiptarë titullarë. Kjo është shumë e rëndësishme”.