Barazim që nuk vlen për Partizanin, Kukësi i pathyeshëm

Kryendeshja e javës së 32-të të Kategorisë Superiore midis Partizanit dhe Kukësit është mbyllur në barazim 1-1, duke bërë që të dyja skuadrat të ruajnë pozitat e mëparshme që kishin në klasifikim, tashmë të dyja në kuotën e 66 pikëve, por me rivalin tjetër, Skënderbeun, që ka shansin sot të afrohet dhe të rrezikojë pozitat e tyre. Me pak fjalë, kampionati i sivjetëm është një rebus i vërtetë, sepse katër javë para fundit nuk kuptohet se cili do të jetë fituesi. Janë tre rivalë në garë, ndërkohë që për të kuqtë e Partizanit dje ishte një mundësi e madhe të fitonin dhe të merrnin të vetëm kryesimin. Megjithatë, Kukësi tregoi se nuk është vetëm një “kockë” e fortë, por edhe një ekip i pathyeshëm. 32 javë pa pësuar humbje janë dëshmi e qartë se verilindorët janë të denjë për titull dhe barazimi i djeshëm e mban Kukësin në pozita të forta dhe pranë titullit kampion. Kalendari është një tjetër tregues që favorizon kuksianët. Nga ana tjetër, në ndeshjen e djeshme të drejtuar nga gjyqtari slloven Jug, pati spektakël, lojë të shpejtë dhe me fantazi, por edhe pasion nga të dy grupet. Spektaklin e rritën prania e madhe në “Selman Stërmasi”, që ishte mbushur në kapacitetin e tij maksimal.

Ndeshja

Partizani e niste ndeshjen e djeshme kundër Kukësi si favorit, nisur jo vetëm nga forma e mirë e lojtarëve, gjendja e lartë morale, por edhe mbështetja e jashtëzakonshme e tifozerisë, e cila është një armë e fuqishme e Partizanit gjatë këtij sezoni. Në pjesën e parë dominimi i kuq ishte i dukshëm, jo vetëm në mbajtjen dhe kontrollin e topit, por edhe në numrin e madh të aksioneve sulmuese. Por kjo nuk mjafton për ta fituar një ndeshje dhe këtë e vërtetoi sidomos fraksioni i parë i lojës, i cili u mbyll me fitoren e Kukësit. Ishte minuta e 21-të. Kur pas një krosimi në zonë nga e djathta, i gjendur në krahun tjetër anësor të sulmit verilindor, Ylli Shameti kërcen mbi të tjerët me kokë dhe shënjestrën portën. Alban Hoxha frenon për momentin, por topi i mbetur në zonë pranë vijës fatale goditet nga Dverkoniviç që përshëndet rrjetën. Në fillim Partizani shtanget dhe mendon se lojtari shkaktoi faull, por gjyqtari slloven Jug i ndodhur fare pranë aksionit fërshëllen për kalimin e topit në mesfushë. Festa e kuksianëve ranë tifozerisë së tyre është sinjifikative. Minutat në vazhdim Partizani e shtoi shumë presionin sulmues, duke krijuar disa raste të pastra shënimi, por fati nuk ishte me të kuqtë në momentin e goditjes përfundimtare. Vilka, Ekuban dhe Malota kishin raste mjaft të mira shënimi, por finalizimi i mungoi skuadrës së Starovës gjatë pjesës së parë. Kukësi u mbrojt me qetësi dhe diti ta menaxhojë epërsinë gjatë 45-minutëshit të parë, duke fituar 1-0. Në pjesën e dytë pritej një reflektim i madh i skuadrës së kuqe dhe reagimi erdhi shumë shpejt, që në minutën e 47-të, kur Ekuban shfrytëzoi një pasim në fundore nga një prej shokëve të tij dhe pasigurinë që kishte mbrojtja kuksiane, duke barazuar shifrat në 1-1. Në fakt, ai që e dërgon topin në rrjetë ishte Shameti, sepse Alla në përpjekje për ta larguar topin e përplasi në trupon e shokut të skuadrës së tij. Entuziazmi në radhët e tifozerisë së kuqe ishte shumë i madh dhe nuk munguan fishekzjarret në shkallët e stadiumit. Për minuta me radhë Partizani e zhvillon lojën në gjysmëfushën e Kukësit. Verilindorët vetëm mbrohen, ndërsa tentojnë të dalin herë pas here në kundërsulm me Pejiç, por ai izolohet shpejt. Të kuqtë shpërthejnë nga krahët dhe në qendër me shpresën se do të çajnë mbrojtjen kuksiane dhe Torasa dhe Ekuban shfaqen herë pas here të rrezikshëm, por finalizimi mungon dhe kjo edhe për meritë të portierit Koliçi që bën pritje vendimtare. Kuksianët nxitojnë të mbyllin kundërshtarin sa të munden dhe për këtë vonojnë maksimalisht lojën, duke ruajtur qetësinë dhe falë qetësisë ia dolën që ta mbyllnin ndeshjen pa humbur, me një barazim që Partizanit nuk i bëri punë, kurse Kukësin e mban në krye të tabelës dhe e afron me titullin kampion.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme