Gazetar: Mefail Ismaili
Banka Evropiane për Investime ndan qëndrimin se që në fazën e parë të projektit për ndërtimin e Stacionit pastrues të ujërave të zeza në Shkup janë respektuar të gjitha kushtet dhe obligimet e ndërmarra për pagesën e parave.
Në përgjigje për Alsat nga ky institucion theksojnë se deri më sot Komiteti për Evaluim i ka kryer të gjitha obligimet në mënyrë të përkushtuar.
Sipas Bankës Evropiane për Investime zhvillimet e fundit në Shkup mund të rrezikojnë grantin për ndërtimin e Stacionit.
“Përpjekjet që të rishikohet strategjia e furnizimeve pa arsyetim përkatës në këtë fazë të procesit të evaluimit, ose mos harmonizimi me parimet ekzistuese për besueshmëri, mund të shkaktojë zvarritje të madhe në procesin e furnizimeve dhe në këtë mënyrë mund të rrezikohet qasja tek fondet. Banka Evropiane për Investime me padurim e pret përfundimin e suksesshëm e avaluimit i cili është në vijim dhe ndarjen e marrëveshjeve përkatëse pa asnjë anulim”, thonë nga Banka Evropiane për Investime.
Ndërkohë kryetarja e Shkupit Danella Arsovska nuk dëshiron të komentojë paralajmërimet e Bankës Evropiane për Investime se situata e krijuar mund të rrezikojë grantin. Ajo tha se dyshon te dokumentet që ia janë dorëzuar Bankës.
“Nuk dëshiroj t’i komentoj qëndrimet e Bankës Evropiane për Investime por dëshiroj t’i pranojë nga Banka Evropiane të gjithë këto informata, nuk dyshoj tek Banka, por tek të dhënat që i janë dorëzuar Bankës”, u shpreh Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Ndërsa Arsovska nuk komenton qëndrimin e Bankës, në mbledhjen e Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së sërish ngrenë dyshime lidhur me tenderin. Madje përmendën edhe emra, që sipas VMRO-DPMNE-së mund të kenë lidhje me kompaninë, pjesëmarrëse në tender të cilën opozita dyshon se e ka favorizuar Arsovska.
“Ky person quhet Arkan Kerim dhe e pyes publikisht kryetaren nëse e njeh këtë person dhe a ka ky person lidhje me kompaninë turke, me të cilin mediat nuk e di se prej ku e kanë mësuar, se është pjesëmarrëse në tenderin 160 milion euro. Shikoni mirë kryetare, kujtohuni, më mirë të kujtoheni tani sepse nuk dëshiroj që pas një viti të kujtoheni për këtë në prokurori. Duhet ta dijë opinioni se oferta e kësaj kompanie turke, siç njoftuan mediat, ka bërë ofertë 20 milion euro më të ulët, vërtetë është simptomatike prej ku dolën këto informata kur ofertat ende nuk ishin hapur. A duhej për këtë ndryshimi i anëtarëve të komisionit për evaluim”, tha Lluke Galevski, VMRO-DPMNE.
Arsovska nuk iu përgjigj pyetjeve të Galeskit.
“Në Maqedoni mua mund të më lidhin me kë të dëshirojnë, kjo nuk do të thotë asgjë”, theksoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Ndërtimi i Stacionit pastrues të ujërave të zeza, është investimi më i madh i BE-së në vendin tonë.
Ky projekt kushton gjithsej 136 milion euro dhe financohet nga Banka Evropiane për investime, Banka Evropiane për zhvillim dhe ripërtëritje, si dhe nga Komisioni Evropian përmes Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor./ Alsat.mk