Briken Çalja rrëfen emocionet e garimit në Olimpiadë: Shqipëria të marrë shembull Kosovën. Objektivi i radhës Botërori

Peshëngritësi shqiptar Briken Çalja arriti një rezultat historik në Lojërat Olimpike të Tokios, duke u renditur në vend të katërt në peshën 73 kg.

Shtangisti nga Shtërmeni ngriti 151 kg në sitilin e shkëputjes dhe arriti rekord kombëtar në stilin e shtytjes duke ngritur 190 kg (341 në dygarësh), teksa për vetëm 1 kg nuk arriti të marrë medaljen e bronzit, e cila do të ishte historike për vendin tonë.

 Pas këtij suksesit të arritur në Tokio, Briken Çalja ka dhënë një intervistë për SYRI TV, ku u shfaq mjaft i lumtur me rezultatin e arritur në këto Lojëra Olimpike dhe i falënderon të gjithë për mbështetjen e dhënë.
Më pas sportisti 31 vjeçar preku edhe temën e buxhetit, ku u shpreh se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova, e cila jep 12 mln euro për sportin, ndërsa në vendin tonë buxheti është rreth 1 mln dollarë.

Si e përjetuat këtë rezultat historik, ku vetëm për 1 kg mund të kishit marrë një medalje?

Padiskutim që e kam pritur shumë mirë. Ishte një rezultat historik dhe një ndër më të mirët në historinë e sportit shqiptar. Jam i lumtur, edhe pak i zhgënjyer pasi  prisja më shumë në stilin e shkëputjes.

Si e përgatitët veten duke e krahasuar me rivalët në olimpiadë?

Jam përgatitur shumë mirë, me një staf të mrekullueshëm që do të doja t’i falënderoja. Sigurisht pa harruar familjen time që kanë qenë me mua në momente të vështira dhe lavdie.

A ju ka ngelur peng disi fakti që në provën e tretë në shkëputje provuat të nginit 155 kg, ndërkohë që mund të kishit provuar një peshë disi më të lehtë që do t’iu jepte mundësinë të siguronit medaljen.

Isha përgatitur për një peshë më të madhe, pasi është stili im i preferuar. Por ky është sporti, janë momente që ndryshojnë gjithçka. Gjithashtu nuk duhet harruar se kisha probleme muskulore, por përf at të mirë ia dola dhe arrita një rezultat historik të cilit duhet t’i gëzohemi të gjithë.

A ndikoi humbja e provës së parë në stilin e shkëputjes?

Normalisht që po, sepse është mjaft e rëndësishme. Prova e parë është besimi që krijon ndaj vetes ndaj kundërshtarit që jep siguri.

Në një deklaratë për mediat keni deklaruar se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova. Çfarë keni dashur të thoni me këtë?

Kosova ka një buxhet mjaft të lartë. Sportisti ka një rrugëtim mjaft të gjatë për të marrë medalje që kërkon një buxhet mjaft të lartë dhe jo të kujtohemi në momentin e fundit kur janë Lojërat Olimpike.

Objektivi i radhës i Brikenit?

Objektivi i radhës është Kampionati Botëror që zhvillohet në Gjeorgji në muajin nëntor. Shpresoj të jem në 5-shen më të mirë të botës, pse jo dhe të synoj medalje.

 

 

© SYRI.net