Conte zbulon pse u largua nga Interi

Conte shpjegon pse u largua nga Interi dhe pse e refuzoi Tottenhamin.

Antonio Conte ka shpjeguar përse e braktisi Interin, si dhe ka këmbëngulur se nuk e refuzoi Tottenhamin për shkaqe ekonomike.

Conte u largua nga Interi vetëm pak ditë pasi e fitoi titullin e kampionit në Serie A me zikaltrit, duke i befasuar shumë njerëz dhe tifozët, transmeton Gazeta Express.

Presidenti i Interit, Steven Zhang, e kishte shpjeguar largimin e italianit duke thënë: “Mendimet tona të ndryshme për këtë gjendje na quan drejt ndarjes. Ajo që nuk ishte thelbësore për të, ishte për klubin. Dhe anasjelltas. Conte është trajner i madh, por si president, unë duhet të mendoj për qëndrueshmërinë e këtij klubi”.

Pas një pushimi të shkurtër në Ibiza, Conte, i cili u kthye në Milano, e kritikoi presidentin e Interin, duke i kundërshtuar deklaratat e tij.

“Çfarë mund të them unë është se projekti im nuk ndryshoi asnjëherë, por do të ishte absurde ta diskutoj këtë tani. Nuk dua të krijoj polemika apo të flas për transferimet. Unë e respektoj Zhangun dhe e falënderoi që më zgjodhi mua. Unë e dua Interin, klubin dhe tifozët”, tha Conte.

Ish-trajneri i Juventusit dhe Chelseat ishte afër të emërohej trajner i ri i Tottenhamit, por bisedimet mes tij dhe klubit londinez dështuan.

Ai këmbënguli se vendimet nuk i merr kurrë bazuar në paratë.

“Në përgjithësi, mua më pëlqejnë sfidat dhe kam pranuar shumë të tilla gjatë karrierës. Por kur një projekt nuk më bind, unë parapëlqej të mos e pranoj ofertën pavarësisht parave”, shtoi ai.