Shtypi i huaj vazhdon të flasë me superlativa dhe me vlerësime për kombëtaren shqiptare të futbollit. Pas kualifikimit në Europianin e Francës, kuqezinjtë e De Biazit kanë qenë në fokus të shkrimeve dhe kronikave të ndryshme televizive, nga Anglia në Itali. Rasti i fundit i përket emisionit sportiv “Kodi i Kuq” në televizionin italian “Sky Sport”, i cili drejtohet nga ish-futbollisti i shquar i Sampdorias, Juvendit dhe kombëtares italiane, Xhanluka Viali. Seria e radhës e këtij emisioni u është kushtuar surprizave të këtij sezoni, ku përfshihen Leisteri, Alesandria dhe Shqipëria. “Shqipëria e De Biazit debuton në Europë, duke u bërë pjesë e futbollit të rëndësishëm”, nis kronika e “Sky Sport”. Në intervistën e tij, trajneri italian thekson faktin se kombëtarja i ka bashkuar të gjithë shqiptarët, të cilët morën një dhuratë të bukur, finalet e Kampionatit Europian. Ai e krahason kombëtaren me një “Hirushe”, e cila po përgatitet të hyjë në “vallen e të fuqishmëve”. “Ishte një bashkim i një populli në një flamur të vetëm, i cili ishte shpërndarë në të gjithë botën, për shkak të konflikteve të së shkuarës. Tani e gjithë bota e shikon Shqipërinë me një sy tjetër”, thotë De Biazi. Në mendimet e futbollistëve dhe gazetarëve italianë, një arritje e tillë shikohet si mrekulli. Ata vlerësojnë punën e trajnerit 59-vjeçar dhe stafit të tij, që bindi lojtarë me origjinë shqiptare, por të lindur jashtë, të luanin për kombin e tyre. Trajneri dhe lojtarët duan të bëjnë të tjera surpriza në Francë, duke shfrytëzuar cilësinë më të mirë, shpirtin e grupit. Në këtë emision të “Sky Sports” u kushtohet hapësirë ekipeve të vogla, që janë në gjendje për të përmbysur hierarkitë dhe parashikimet në futbollin e sotëm super të pasur. “Ky kualifikim ishte realizimi i një ëndrre 10-vjeçare”, vijon De Biazi. “Shqipëria është si Hirushja, e cila do të marrë pjesë për herë të parë në një kompeticion të rëndësishëm. Kombëtarja përfaqëson krejt shqiptarët, ata që tradicionalisht kanë jetuar në shtëpi dhe të tjerët, që janë lindur e rritur jashtë. Në Itali, shqiptarët njiheshin më parë tradicionalisht si ata që sapo të hynin në shtëpi, vidhnin apo merreshin me drogë. Duke qenë me një popullsi shumë të re, Shqipëria ka dëshirë të madhe për të ecur përpara dhe për të shijuar lirinë, më në fund, pas kaq vitesh nën diktaturë. Tani e gjithë bota shikon Shqipërinë”, shton trajneri italian i kuqezinjve.