E arta e Kosovës

Me pjesëmarrje në vetëm katër gara individuale gjatë vitit 2016, Majlinda Kelmendi i ka bërë shërbim shumë të madh vendit, njëjtë si edhe në vitet e kaluara. Në vitin e përcjellë me plot vështirësi e probleme të natyrës politike e ekonomike, Majlinda dhe sukseset e saj ishin ndër pikat e pakta të ndritura.

Me sukseset në arenën sportive, 25-vjeçarja nga Peja dha kontributin që për Kosovën në botë të dihet jo vetëm për problemet me korrupsionin e demarkacionin, për pamundësinë e shtrirjes së autoritetit në tërë territorin dhe për dyshimet për terrorizëm, por edhe për sukseset në një fushë që vlerësohet shumë. Tregimi i saj vazhdon të inspirojë njerëz nëpër botë, ndërsa në vitin olimpik është përcjellë nga media të mëdha botërore.

Ajo është bërë figurë publike dhe inspiruese falë sukseseve në tatami, por edhe për shkak të rrugëtimit që ka bërë. Kosova, pa shumë traditë në sportin luftarak të xhudos, është bërë forcë e këtij sporti në rajon dhe në Evropë, shkruan Koha Ditore. Me Majlindën, Kosova ka bërë histori në Lojërat Olimpike, ndërsa falë saj flamuri i Kosovës është ngritur lart midis Rusisë dhe për të nderuar himnin e Kosovës janë ngritur në këmbë mijëra rusë.

Viti 2015 ishte më i vështiri në karrierën e Majlindës. Ajo qysh në janar kishte lënduar gjurin, ndërsa gjatë fazës rikuperuese i ishin shfaqur dhembje në shpinë. Në vjeshtën e vitit 2015 ishte kthyer në tatami, ndonëse dhembjet në shpinë nuk po i ndaheshin. Në muajt e fundit të vitit 2015 pati disa gara të suksesshme, që shiheshin si përgatitje për shpërthim në vitin 2016.

Dhe shpërthimi ndodhi. Dhembjet e pandalshme të shpinës, që e lanë pa gjumë për net të tëra, nuk e frenuan dot. Së bashku me trajnerin Driton Kuka, ndoqën strategjinë e paraqitjes në më pak gara për të mos provokuar keqësim të gjendjes së shpinës. Fillimi ishte i furishëm. Në muajin shkurt fitoi medaljen e artë në turneun Grand Slam të mbajtur në Paris. Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve, Majlinda ishte më e emocionuar se zakonisht dhe i rrodhën lotët.

Kishte një arsye për këtë – vetëm një natë para garës ajo vendosi të garonte, pasi ndërkohë dhembjet e mëdha në shpinë për shkak të Discus Hernias i ishin ndalur pak. Në Paris garoi me kujdes të shtuar, por mjaftueshëm fuqishëm sa të mposhte rivalet e mëdha. Gara e Parisit njihet si gara më e fortë e xhudos në botë, është e nivelit me Lojërat Olimpike dhe Kampionatin botëror. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin festiv të Kohës Ditore, që mbetet në treg deri të martën më 3 janar)

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme