E mbylli Europianin me 2 gola e 0 pikë, dorëhiqet trajneri i Maqedonisë së Veriut: I lumtur që bëmë histori

Trajneri i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski ka dhënë dorëheqjen pas dështimit në Europian.

45-vjeçari i cili ka hyrë në historinë e vendit si trajneri që ka çuar për herë të parë Maqedoninë e Veriut në një eveniment të lartë futbolli si Europiani ka deklaruar se pas 31 korrikut nuk do të rinovojë.

Në konferencën e fundit për shtyp pas humbjes 0-3 me Holandën, Angelovski nuk shfaqi zhgënjim, por u shpreh i lumtur që Maqedonia e Veriut shkroi historinë.

”Mund të them se ishte një kënaqësi e madhe të çoja Maqedoninë në një Kampionat Evropian. Nuk duhet të zhgënjehemi aspak. Kjo ishte shfaqja jonë debutuese. Dëshiroj të falënderoj lojtarët e udhëhequr nga kapiteni Goran Pandev për gjithçka që bënë në EURO 2020. Jam i lumtur që bëmë histori dhe e çuam Maqedoninë në Kampionatin Evropian,” tha Angelovski.
Maqedonia e Veriut si debutuese në Europian e mbylli aventurën pas 3 ndeshjesh në grupe, të treja humbje. Ajo pësoi 6 gola dhe shënoi 2, i pari nga Pandev dhe i dyti nga futbollisti me origjinë shqipare”- Ezgjan Alioski.