George Michael, ylli që ngriti zërin edhe për Kosovën

Hitet, pa të cilat zor se mund të paramendohen toplistat muzikore të viteve ‘80 e ’90, u shpërndanë nëpër rrjete sociale, mediat e mbajtën në ballinë nekrologjinë e homazhet u shpërndanë gjithandej në ditën kur bota u zgjua me lajmin se humbi edhe një muzikant me nam.

George Michael – këngëtari që maturoi nga idhulli i adoleshentëve në yllin që e trajtoi seriozisht pop-muzikën – iu bashkua listës së gjigantëve të muzikës që vdiqën më 2016. David Bowie, Prince e Leonard Cohen mes tyre. George Michael, kantautori britanik, që karakterizohej me zërin e butë e pamjen e hijshme dhe shiti miliona albume si anëtar i duos “Wham!”, por edhe si solokëngëtar, ka vdekur të dielën në shtëpinë e tij në Goring, Oxfordshire të Anglisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ai ishte 53 vjeç. Ironikisht krijuesi i hitit “Last Christmas” vdiq në ditën e Krishtlindjeve. Shumëçka i ka lënë botës Michael dhe jo vetëm në muzikë. Humanizmi qe një tjetër “pikë e dobët” e tij. Kjo do të testohej deri në Kosovë.

“George Michael shet shpirtin e vet për refugjatët e Kosovës”

Lidhja e George Michaelit me Kosovën zë fill në kohë lufte. Gjatë viteve 1998-99, shpesh u kishte dalë zot refugjatëve kosovarë. Për Kosovën e pasluftës do t’i dhuronte 500 mijë funte donacion, si thirrje që atë ta ndiqnin edhe të tjerët. E me gazetarët do të bënte “ujdi” në një konferencë për media.

Michael qe i gatshëm t’u rrëfente gjithçka tabloideve britanike, nëse ato do të mbulonin siç duhej fushatën për koncertet e iniciativës të njohur si “NetAid” që luftonte varfërinë. Një pjesë e të ardhurave nga koncertet që do të organizoheshin në tetorin e 1999-s, do të ndaheshin edhe për kosovarët.

© KOHA.