E mërkurë, 26 Tetor 2016 –  Sakte.net

Adhuruesit e futbollit në Angli, por edhe në Evropë dhe botë sonte do të kenë mundësinë të ndjekin duelin midis rivalëve të Manchesterit- United dhe City si dhe ballafaqimin e ri mes dy trajnerëve të mëdhenj Jose Mourinho dhe Josep Guardiola, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ndeshjen e kampionatit, Guardiola ka fituar në Old Trafford me rezultatin 2:1, ndërsa para ndeshjes së sontme në të tetën e finales së Kupës, thotë se për të derbi i qytetit është si finale, pa marrë parasysh se ku luhet loja.

“Mendoj se të gjithë thonë se kjo ndeshje nuk është e rëndësishme, por jam përgatitur për të fituar ndeshjen. Nga lojtarët do të kërkoj që të japin maksimumin. Kjo është finale. Nuk e kuptoj punën time ashtu që ndonjë ndeshje ta konsideroj më të rëndësishme se tjetrën. Përkundrazi, ndeshjen e parë që e luaj është më e rëndësishme. Megjithatë, në të njëjtën kohë duhet marrë parasysh gjendjen e lojtarëve. Tre ditë pas derbit na pret West Bromwich Albion dhe Barcelona, ndërsa këto ndeshje janë shumë të rëndësishme”, tha Guardiola për mediat britanike.

Manchester United dhe Manchester City do të takohen sonte në Old Trafford me fillim në ora 21:00. Në një të tetën e finales për Kupën e Anglisë luhet një ndeshje. Në rast të barazimit luhet koha shtesë dhe në qoftë se edhe me këtë rast nuk ka fitues, atëherë shkohet në penalti.

Titullin e fituesit të Kupës nga viti i kaluar e mban Manchester City, i cili në finale, pas ekzekutimit të penaltive mundi Liverpool-in.