Juve pas Donnarummas: Duam gjithmonë portierët më të mirë

Gjiganti italian Juventus është duke shikuar pasardhësin e portierit legjendar Gianluigi Buffon, ndërsa bëhet e ditur se portieri i talentuar i Milanit, Gianluigi Donnarumma është zëvendësuesi i duhur.

17 vjeçari i Milanit ka qenë një sensacion në Serie A që nga debutimi i tij në tetorin e vitit të kaluar, transmeton Koha.net. Milani ka paralajmëruar se Donnarumma nuk do të largohet, por drejtori sportiv i Juventusit, Giuseppe Marotta është pyetur për një transferim të mundshëm të tij.

“Juve i ka dhënë shumë lojtarë ekipit kombëtar. Në 20 vitet e fundit në portën e kombëtares ishin portierët e Juves, Zoff e Buffon, historia e jonë është bërë nga kampionët italian dhe talentët”, është shprehur Marotta, raporton Goal.

Ai për Donnarumman ka thënë se, “nuk jemi duke menduar për të. Ne gjithmonë duam portierët më të mirë. Sot kemi Buffonin, i cili do të jetë me ne edhe për disa vjet, dhe është një bukuri që ai prezanton gjithçka të mirë për futbollin. Pas kësaj do të shikojmë rrotull dhe do ta zëvendësojmë me dikë, sigurisht se nuk do të jetë e lehtë të zëvendësohet një lojtar si Buffoni”.