Viti 2016 ishte fantastik për Kosovën. Anëtarësimi i Kosovës në UEFA e FIFA e kompletoi ndërkombëtarizimin e sportit kosovar. Debutimi i Kosovës në kualifikimet e Kampionatit Botëror të futbollit, e mbi të gjitha pjesëmarrja e kosovarëve në Olimpiadë e bën kuptimplotë pavarësinë e vendit tonë. Kurse, Medalja e Artë që e fitoi Majlinda Kelmendi në “Rio 2016” konsiderohet si qershi mbi tortë për sportin tonë në këta 12 muaj
Viti 2016 pa dyshim ishte viti i Kosovës. Portali i njohur “East Journal” ia ka kushtuar një shkrim të veçantë sportit kosovar.
Përpos Olimpiadës, Evropianit e ngjarjeve të rëndësishme të vitit, vlen të përmendet pranimi i Kosovës në sportin që çon peshë, shkruan sot gazeta Zëri.
Deri tash, sporti kosovar ishte i izoluar, apo i “gjymtuar”, pasi nuk lejohej t’i përdorte simbolet shtetërore, edhe nëse merrte pjesë në gara ndërkombëtare. Mirëpo, kulmi arriti në paradën e kombeve në ceremoninë inauguruese të një Olimpiade, e cila ndonjëherë mund të jetë një sinjal më i fortë sesa një votë në Kombet e Bashkuara.
Për këtë motiv, organizatat sportive të Kosovës kanë luftuar gjatë për ta fituar mundësinë që ta prezantojnë vendin e tyre në eventet më të rëndësishme të sportit ndërkombëtar.
Një objektiv që u arrit në gusht të këtij viti, kur në “Rio 2016” sfiloi edhe flamuri i vendit të vogël, i cili dikur ishte pjesë e Ish-Jugosllavisë, por që e shpalli Pavarësinë në shkurt 2008.
2016-i ishte viti në të cilin Kosova ia doli të arrijë objektiva të rëndësishëm në betejën e saj për njohje. Objektiva të rëndësishëm, mbi të gjitha në fushën e sportit: nga pranimi në UEFA e FIFA e deri tek debutimi olimpik, për të vazhduar me debutimin në kualifikimet për Botërorin e Rusisë.
Një betejë diplomatike që kishte nisur më shumë se një dekadë më parë, me pranimin e Federatës së Pingpongut, e më pas edhe të Hendbollit, por vetëm me të drejta të kufizuara.
E Federatat tjera të rëndësishme u pranuan më vonë, shumë më vonë. Në vitin 2014, Kosova u bë pjesë e FIBA-s. Ndërkaq, përfaqësuesja kosovare e futbollit në të njëjtin vit e bëri debutimin në miqësoret e autorizuara nga UEFA, ndërsa Komiteti Olimpik i Kosovës u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në fund të 2014-s, shkruan Zëri.
Njohja sportive e Kosovës ka qenë gjithmonë një terren i minuar, në veçanti për shkak të opozitës që e bënin Serbia dhe Rusia.
Një opozitë që gjithnjë e më shumë po zbehet, mbi të gjitha për faktin se Serbia po mundohet të integrohet në Evropë, dhe kjo e fundit nuk e lejon një vend t’i përzihet apo ta pengojë tjetrin.
Tentativa e Kosovës për t’u bërë pjesë e futbollit që çon peshë nuk është ndalur kurrë, ndërsa mundi dhe sakrifica u shpaguan në fillim të majit 2016, kur Kongresi i UEFA-s votoi për pranimin e federatës kosovare në konfederatën evropiane, duke ia hapur rrugën edhe pranimit në FIFA pas 10 ditësh.
Serbia nuk e priti aspak mirë këtë gjë dhe e denoncoi UEFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Debutimi zyrtar i Kosovës në kualifikimet për “Rusia 2018” ndodhi më 5 shtator 2016, me shumë paqartësi rreth disa lojtarëve, të cilët i kishin përfaqësuar vendet tjera dhe FIFA e ka dhënë lejen për lojë për ta vetëm disa orë para ndeshjes me Finlandën, ndërsa ata që luajtën në Evropianin e Francës, nuk u lejuan ta ndërronin përfaqësuesen.
Diaspora e futbollit kosovar ia ka dhuruar vendit të vogël ballkanik disa lojtarë cilësorë, por yjet si Shaqiri, Xhaka, Behrami, Januzaj etj, mbetën vetëm ëndërr.
Në aspektin sportiv, është e vështirë që Kosova mund ta harrojë këtë vit. Një vit që e ka parë duke debutuar në dy prej kompeticioneve më të rëndësishme sportive në botë, Olimpiadë dhe kualifikimet për Botëror. Në këtë vit, Kosova e fitoi edhe medaljen e parë të artë olimpike dhe njëherësh historike.
E arriti këtë përmes xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila po e dominon xhudon botërore në vitet e fundit, derisa në vitin 2012 e kishte përfaqësuar Shqipërinë në “Londra 2012”.
Me këtë rast, Majlinda mori hak për të gjitha padrejtësitë që i ishin bërë Kosovës, në sport, por edhe më gjerë. Ajo bëri që flamuri i Republikës së Kosovës të ngrihet lartë, pasi e mundi në finale italianen Odette Giuffrida. Pa dyshim, ky ishte vit për mbamendje për Kosovën. /Sakte.net/