Kampionët e Premier Ligës angleze Manchester City njoftuan nënshkrimin e kontratës me portugezin Joao Cancelo nga klubi italian Juventus për 65 milionë euro.
Në Manchester City, sipas kontratës së nënshkruar, mbrojtësi 25-vjeçar do të jetë i angazhuar deri në qershor të vitit 2025.
“City është një klub fantastik, me një menaxher të shkëlqyer dhe jam i kënaqur që jam këtu”, tha Cancelo pas nënshkrimit të kontratës për klubin anglez.
Sipas marrëveshjes midis dy klubeve, mbrojtësi brazilian Danilo Luiz da Silva i Manchester City-t iu bashkua Juventus-it për një pagesë prej 37 milionë eurosh.
Klubi italian njoftoi se mbrojtësi 28-vjeçar brazilian do të jetë i angazhuar në Juventus deri më 30 qershor të vitit 2024, ndërsa pagesa do t’i paguhet Manchester City-t në tre vite financiare.
Sezonin e kaluar, Cancelo luajti 34 ndeshje dhe shënoi 1 gol për Juventus-in, ndërsa Danilo shënoi 1 gol në 22 ndeshje për Manchester City-n.