Mavraj, befasia e Bundesligës (Foto)

E martë, 15 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Paraqitjet e Mërgim Mavrajt në këtë edicion në Bundesligë kanë rënë në sy të të gjithë specialistëve të futbollit, pasi lojtari i përfaqësueses shqiptare po shkëlqen me fanellën e Kolnit.

 

Vlerësimeve të shumta që ka marrë Mërgim Mavraj gjatë këtyre muajve, u është shtuar edhe një shumë i veçantë nga vetë Bundesliga gjermane. Ekspertët e futbollit të organizatorëve të kampionatit e kanë përzgjedhur shqiptarin në ekipin ideal të lojtarëve surprizë të këtij sezoni.

Në përshkrimin që i bëhet futbollistit shqiptar, në një formacion ku gjenden edhe emra si Marcel Schmelzer dhe Joshua Kimmich, në faqen zyrtare të Bundesligës renditej si pritshmëria para nisjes së sezonit, ashtu edhe ajo që ka dhuruar që nga momenti kur filluan ndeshjet në muajin gusht.

“Lojtari i kombëtares shqiptare humbi 20 ndeshje në sezonin e kaluar për shkak të një dëmtimi serioz në gju dhe u desh të shihte se si Dominik Maroh dhe Dominik Hainz formuan një dyshe të fortë në qendër. Pas vendit të 9 mjaft solid të vitit të kaluar, kishte një pikëpyetje të madhe rreth pozicionit të Mavrajt në formacionin titullar. Edhe nëse Kolni do të përsëriste një sezon pa rënie nga kategoria, nuk ishte e qartë nëse ai do të siguronte një vend në fillimin e sezonit”, shkruan faqja e Bundesligës për Mavrajn.

“Mavraj është një nga katër lojtarët që nuk ka humbur asnjë sekondë lojë në ecurinë surprizë të Këlnit. Deri më sot, vetëm Bayerni ka pësuar më pak gola se sa skuadra që mban vendin e 6 në renditje dhe një rol mjaft të madh në këtë arritje e ka edhe shqiptari me paraqitjet e tij shumë të mira”, përfundon vlerësimi për yllin e Kombëtares. /Panorama Sport/