“Mbappe nuk më pason mua”, plas keq te Franca, Deschamps pajtuesi

Plas te Franca, pak ditë para EURO 2020. Olivier Giroud është ankuar pas miqësores së të martës kundër Bullgarisë për faktin se nuk i pasojnë.

Në fakt e ka pasur më shumë me Kylian Mbappe. Ylli i PSG është tërbuar nga deklaratat e dhëna nga lojtari i Chelsea dhe sipas asaj që raporton “L’Equipe” ka dashur të dalë në konferencë për shtyp.

Sikurse kuptohet në kombëtaren e Francës fryma nuk është e duhura. Trajneri Didier Deschamps është përfshirë në gjithë këtë mesele dhe po tenton ta rregullojë para ndeshjeve, që të mos ndikojë në rezultatet e kampionëve të botës.

DEBATI – Giroud në të shkuarën ka pasur përplasje edhe me Karim Benzema, i cili është rikthyer në kombëtare. Dy sulmuesit u ngacmuan mes tyre përmes deklaratave.

Sulmuesi i Real Madrid ishte ai që ngacmoi i pari: “Kush është më i fortë mes meje dhe Giroud? Do të përgjigjem njëherë e përgjithmonë dhe do flas shkurt: mos ta ngatërrojmë Formula 1 me Kart. Po tregohem i sjellshëm madje. Nuk do të flas më për të, di të them që unë jam Formula 1”.

Futbollisti i Chelsea më pas reagoi përmes një deklarate të dhënë për “Befoot”: “Çfarë jam unë, një go-kart? Një kampion bote go-kart”. Ironi e sulmuesit, duke i kujtuar kolegut të tij që kishte fituar titullin kampion bote.

Benzema bëri edhe një tjetër sqarim më pas: “Disa njerëz u morën vetëm me atë pjesën rreth Giroud dhe Formula 1, por nuk e vunë re çfarë thashë unë për atë që ai i ka sjellë kombëtares franceze.

Ata u fokusuan vetëm te pjesa ku fola për Formula 1 dhe Kart, por është ajo që mendoj dhe e vërteta.  Shikoni, nëse do të më pyesnin për Ronaldo fenomenin, atëherë ai do të ishte Formula 1 dhe unë Kart. Shkurt dhe thjeshtë”.