Carlo Ancelotti mendon se Cristiano Ronaldo meriton po aq lëvdata sa Lionel Messi.
Sulmuesi i Real Madridit fitoi “Topin e Artë” për herë të katërt të hënën pasi ndihmoi ekipin e tij të triumfojë në Ligën e Kampionëve dhe “Euro 2016” me Portugalinë, në 12 muajt e fundit.
Ancelotti, i cili ka punuar me Ronaldon në Santiago Bernabeu, beson se gjendemi në epokën e portugezit.
“Nuk e di edhe për sa kohë do të vazhdojë, por nuk mendoj se është aq i vjetër”, deklaroi Ancelotti për “AS”, përcjell “lajmi.net”.
“Dikush thotë se kjo është epoka e Messit, por është edhe e Ronaldos. Messi është i mirë sepse e ka Cristianon, dhe anasjelltas”, theksoi ai. “Të tjerët duhet të presin”, u shpreh italiani. /Lajmi.net/