Njeriu më i fortë në botë që nget një “Lladë” – Kush është Vladimir Putin?

Aktualisht, njeriu më i fortë ose më i pushtetshëm në botë nuk është presidenti i ShBA-ve – shkaku i popullaritetit të dobët – por presidenti i Rusisë, Vladimir Putin që u betua sot për mandatin e tij të katërt pasi i kishte fituar bindshëm zgjedhjet presidenciale

Origjina sociale e familjes së Putinit ishte e varfër. Ai u lind në një bllok komunal banesor në qytetin e shkatërruar pas Luftës së II Botërore të Leningradit [tash, Shën Peterburg]. Vladimiri ishte më i riu nga fëmijët. Nëna i punonte në një fabrikë ndërsa babai në marinën ruse. Qysh në moshën 12 vjeçare ai filloi të ushtronte në arte marciale, veçanërisht xhudo. Më 1983 ai u martua me Lyudmilan, me të cilën ka dy vajza: Marian dhe Katerina Putinan. Të dyja vajzat kanë shkuar në shkollë me emra të rremë për shkaqe sigurie. Më 2014, Vladimir Putin u shkurorëzua nga Lyudmila pas 31 vitesh martesë, transmeton Periskopi.

Putin njihet si politikani atlet sepse praktikon një mori aktivitetesh si peshkimi, kalërimi, skijimi, hokeji mbi akull e të tjera.

Si 22 vjeçar, Vladimir Putin u anëtarësua në KGB, agjencia shtetërore sovjetike e sigurisë. Nga viti 1985 e deri më 1990 ai ka punuar në Dresden të Gjermanisë si spiun duke e përdorur një identitet të rremë si përkthyes. Masha Gessen, një ruso-ameirkan që ka bërë një biografi për Putinin pretendon se e gjithë koha e kaluar nga Putini në Rusi nuk i shërbeu për asgjë KGB-së.

Pas kthimit në Rusi, Putini mbajti pozita administrative në Universitetin e Leningradit, dhe pas rënies së komunizmit më 1991, ai u bë këshilltar i politikanit liberal Anatoly Sobchak, që ishte zgjedhur kryetar i Leningradit. Pas humbjes së këtij të fundit në zgjedhje, Putini shkoi në Moskë, dhe u promovua nga administrata e presidentit të asokohshëm rus Boris Yeltsin.

Shkurtimisht, ai ishte zgjedhur edhe si kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë, një agjenci e sigurisë që e pasonte KGB-në. Në gusht të vitit 1999, Yeltsini e kishte shkarkuar kryeministrin e tij, Sergey Stapashin, dhe e kishte emëruar Putinin në vend të tij, përcjell Periskopi.

Më vonë, edhe Yeltsini kishte dhënë dorëheqje si president dhe e kishte caktuar Putinin si ushtrues detyre deri në zgjedhjet e marsit 2000. Putini ishte zgjedhur me 53% të votave. Ai kishte premtuar reforma ekonomike e politike, dhe kishte dashur të ristrukturonte qeverinë dhe të hetonte veprimtaritë kriminale të bizneseve të profilit të lartë.

Në shtator të vitit 2001, pas sulmeve që u bënë ndaj ShBA-ve më datën 11 të atij muaji, ai njoftoi se Rusia do të mbështeste administratën e Bushit në fushatën e saj anti-terror. Megjithatë, kur nisi ‘lufta ndaj terrorit’ duke u fokusuar te lideri irakian Saddam Hussein, Vladimir Putini ishte bashkuar me kancelarin gjerman Gerhard Schroder dhe presidentin francez Jacques Chirac për të kundërshtuar planin.

Pasi u rizgjodh në krye të vendit më 2004, ai bëri një vizitë historike në Izrael ku u takua me kryeministrin Ariel Sharon.

Në vitin 2008, shkaku i respektimit të kushtetutës, Putinit nuk i lejohej që të garonte sërish për president. Por, ai e vendosi në këtë post Dmitry Medvedevin ndërkohë që Putini e mbajti postin e kryeministrit. Megjithëse Medvedev ishte në pozitë më të lartë, pushtetin faktik e mbante Putini.

Pushteti i tij i madh në Rusi i ka mundësuar që të bëj veprime kundërthënëse në punët e brendshme dhe të jashtme të shtetit. Në vitin 2015, popullariteti i tij shkoi deri në 89%, një shifër rekorde që as nuk mund të ëndërrohej nga një president amerikan ta zëmë.

Megjithëse ishte ateist si fëmijë, ai u kthye kah feja pas dy aksidenteve që ndodhën: aksidentit me veturë të gruas së tij dhe kur shtëpia e tij ishte djegur. Tash, ai është një anëtar i devotshëm i Kishës Ortodokse Ruse – por këtë gjë, mund të aludohet se e bën edhe për të mbajtur të lartë popullaritetin e tij politik.

Putini ka dëshmuar ndër tjerash edhe talentin e tij në muzikë para një audience që përbëhej nga emra të mëdhenj si Sharon Stone, Kevin Costner dhe Goldie Hawn.

Sa i përket veturave, ai preferon brendet ruse dhe e nget një Lada [Llada] Kalina të verdhë, një Volga GAZ-21 dhe një Nivë të zezë. Por ai ka edhe dy Mercedes-a në garazhat e tij.

Ajo që dihet është se megjithëse ekonomia ruse po pëson rënie, në rrafshin politik Rusia është bërë shumë më e fuqishme në kohën e Putinit. Ai përfaqëson, edhe sipas autorëve liberalë, një alternativë të frikshme si formë qeverisëse – autoritare, por eficiente. /Periskopi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme