PDK e paralajmëron Haradinajn: Mund ta ndërrojmë partnerin e koalicionit edhe pa shkuar në zgjedhje

Shkuarja e vendit drejt zgjedhjeve të reja, siç duket nuk po e frikëson asnjërin prej partnerëve të koalicionit qeverisës. Madje, thonë se nëse ka një plan të tillë, atëherë mund ta caktojnë edhe një datë për mbajtjen e tyre, shkruan Gazeta Blic.

Mundësia që i pari i PDK-së, Kadri Veseli përmendi në seancën solemne me rastrin e shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kadri Veseli, se vendi mund të shkojë në zgjedhje, për kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj nuk po shihet si problematike.

Madje, thotë i pari i ekzekutivit, se nëse ka një plan të tillë atëherë mund edhe të merren vesh që vendin ta dërgojnë drejt zgjedhjeve të reja për 5 minuta. Ka shtuar gjithashtu se nëse Kuvendi vendos një gjë të tillë edhe do ta respektojë këtë vendim.

Zgjedhjet mund të vijnë çdo ditë. Për zgjedhje s’ka nevojë të bëhemi nervoz. Nuk jam i gatshëm për zgjedhje, jam i gatshëm të punoj. Nëse parlamenti vendos ashtu unë e respektoj. Nëse nesër thirret mosbesimi për Qeverinë shkojmë në zgjedhje dhe vazhdon jeta. Nëse Veseli ma kërkon, është e drejtë legjitime të shkojmë në zgjedhje. S’ma ka kërkuar. Nëse ka një plan të caktuar për pesë minuta merremi vesh, por unë tash jam i mandatuar të punoj”, tha Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.

Mirëpo, për këtë nga PDK po konsiderojnë që vendi nuk e ka komoditetin e duhur. Por deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa për Gazetën Blic tha se edhe nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja atëherë si parti janë të përgatitur.

PDK e ka qëndrimin e vet dhe konsiderojmë që Kosova nuk e ka komoditetin për qytetarët e saj të kenë zgjedhje të parakohshme për arsye se jemi në një momentum të rëndësishëm për vendin. Por megjithatë, nëse shkojmë në zgjedhje, ne jemi të përgatitur për to dhe jemi shumë optimist që Partia Demokratike do të dali partia e parë në nivel vendi” tha Beqa.

Sipas tij, nëse PDK dëshiron që ta dërgojë vendin në zgjedhje, atëherë një gjë të tillë mund ta bëjnë shumë lehtë. Indirekt, “kërcënoi” edhe të parin e ekzekutivit, Ramush Haradinaj se partnerin e koalicionit qeverisës mund ta ndërrojnë edhe pa e dërguar vendin në zgjedhje të reja.

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me elektoratin e vendit edhe ashtu kemi qenë në proces zgjedhor me rininë në vitin e kaluar tash jemi me partinë. Do të thotë që kemi një mbështetje për PDK-në, për “Dekadën e Re” që asnjëherë me parë nuk e kemi pasur më të madhe. Kurrë mbështetje më të fuqishme për PDK-në nuk ka pasur. Megjithatë, ne nëse dëshirojmë ta dërgojmë vendin në zgjedhje mund ta bëjmë, mund të ndërrohen partnerët dhe të mos shkojmë në zgjedhje por, d.m.th nuk e kemi menduar për këtë” tha ai.

Beqa në një bisedë me Gazetën Blic edhe pse tha se janë për vazhdimin e mandatit kushtetues, tha se çdo gjë është relative dhe se në rast të tillë PDK do të korrë fitoren më të madhe deri më tani.

Nga praktikat e kaluara, PDK problemin e vetëm që se ka pasur asnjëherë janë zgjedhjet. Në dy mandate e qeverisë që kemi udhëhequr vet, në momentet kur na kanë kontestuar apo kanë menduar që na ka ra fuqia në terren, ne e kemi dërguar vendin në zgjedhje dhe e kemi fituar. Edhe jam shumë optimist që fitoren më të madhe do ta bëjmë nëse shkojmë në zgjedhje tani. Por ne jemi që këtij procesi t’i shkojmë deri në fund, por nuk përjashtohet as mundësia e zgjedhjeve pasi nuk ka asgjë absolute. Çdo gjë është relative” tha ai.

Ndryshe, partnerët e koalicionit qeverisës që nga vendosja e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake kanë shpërfaqur edhe publikisht mos pajtimet e tyre. E fundit ishte edhe përplasja e tyre gjatë shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës ku lideri i subjektit më të madh politik brenda koalicionit qeverisës, Kadri Veseli tha se përmbi emocioneve të taksës ndaj shtetit të Serbisë, duhet të flitet për urgjencën e racionalitetit shtetëror.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme