Shaqiri, mjeshtër i golave të bukur

Të gjithë pesë golat e fundit të Xherdan Shaqirit në Premier League janë shënuar me gjuajtje jashtë zonës. Secili gol ishte më i mirë se tjetri.

Të bukur ishin edhe golat e shënuar nga zona, por natyrisht në futboll më të veçantë vlerësohen golat e shënuar nga distanca, shkruan sot “Koha Ditore”. Për gola të tillë, mjeshtër tashmë vlerësohet 25-vjeçari nga Gjilani.

Njërin prej golave më të bukur të karrierës, Shaqiri e shënoi të shtunën në fitoren 3:1 të Stoke Cityt ndaj Hull Cityt, në kuadër të javës së 33-të të Premier Leagues së Anglisë në futboll. Në minutën e 80-të Shaqiri mori topin, kur ishte rreth 30 metra larg portës rivale.

E pranoi atë me këmbën e djathtë, e shtyu më pas lehtë me këmbën e majtë dhe pasi bëri dy hapa të shpejtë goditi thuajse papritur po me këmbën e majtë. Topi i goditur mjeshtërisht nga Shaqiri shkoi në këndin e kundërt në portën e Hull Cityt, pak nën shtyllë, ku asnjë portier nuk mund të intervenojë me sukses.

Ishte gol për rezultatin përfundimtar, 3:1. Shaqiri, po ashtu, asistoi për golin e parë dhe natyrisht u shpall lojtar i ndeshjes. Ai u zëvendësua në minutën e 88-të dhe fushën e lëshoi i përcjell me duartrokitje të mëdha të shikuesve.

Shaqiri ka shënuar katër gola, të gjithë nga distanca, në këtë edicion. Ka edhe dy asistime në 16 ndeshje. Ishin lëndimet që kanë frenuar shumë reprezentuesin e Zvicrës në këtë edicion. Për shkak të lëndimeve, para së gjithash një lëndimi të kofshës, ka lëshuar më shumë se gjysmën e ndeshjeve, ndërsa sa herë ka luajtur ka shfaqur formë të lartë.

Edicionin e hapi me një gol të bukur ndaj Middlesbrough, ndërsa dy të tjerë i kishte shënuar pikërisht ndaj Hull Cityt më fund të tetorit. Ai është kthyer vetëm javën e kaluar, kur asistoi në ndeshje me Liverpoolin..