Mesfushori me tipare sulmuese Dino Medjedoviç dhe mbrojtësi qendror Jure Çolak janë dy përforcimet e para të Shkëndijës në këtë afat kalimtar.

Shkëndija ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me dy futbollistë, të cilët prej sot edhe zyrtarisht janë pjesë e skuadrës ‘kuqezi’. Mesfushori me tipare sulmuese Dino Medjedoviç dhe mbrojtësi qendror Jure Çolak kanë firmosur kontrata 18 mujore, ndërsa pas prezantimit me fanellën e Shkëndijës menjëherë i janë bashkuar skuadrës në seancat stërvitore.

27 vjeçari boshnjak Medjedoviç ka pasaportë austriake dhe jeton në Linz, ndërsa në Shkëndijë vjen nga Paderborni i Gjermanisë. Luan si mesfushorë ofenziv, ndërsa përshtatet edhe si sulmues krahu dhe sulmues qendre. Ndërkohë Çolak është gjithashtu 27-të vjeçar me nënshtetësi të dyfishtë (gjermane dhe kroate), si i ri ka qenë pjesë e disa ekipeve të mëdha gjermane, ka regjistruar 15-të paraqitje për përfaqësuesen U 19 të Kroacisë, ndërsa në Shkëndijë vjen nga FC 08 Homburg i Gjermanisë.

Bëhet fjalë për mbrojtës korpulent me një lartësi prej 194 centimetrave, i cili mund të mbulojë dy pozitat si mbrojtës qendre, ndërsa me nevojë luan edhe si mbrojtës i djathtë dhe mesfushor i fundit.
Medjedoviç dhe Çollak janë dy përforcimet e para të Shkëndijës në këtë merkato, ndërsa paraprakisht ekipit i’u bashkangjit trajneri gjerman Tomas Brdariç dhe ndihmësi i tij Armin Friedrich.

Dy përforcimet e reja të Shkëndijës flasin me shumë optimizëm pas firmosjes të kontratave me ekipin ‘kuqezi’, ndërsa pranojnë se kanë ardhur për të ndihmuar ekipin të realizojë ambiciet.