Shpend Ahmeti, midis dy zjarreve!

Shkruan: Xhevdet POZHARI

Rëndom, përpiqem t’i shmangem shkrimeve ku apostrofohen me emër dhe mbiemër protagonistë të caktuar. Më me dëshirë parapëlqej të shkruaj për fenomenet që shpërfaqen në shoqëritë tona dhe të cilat kryesisht ngjajnë në episode të njëjta me protagonistë të rinj.

E ngjashme, me pak modifikime, është edhe situata në Vetëvendosje. Pa hyrë në detaje ku secila palë mund të pretendojë se ka të drejtë, vëmendja është përqendruar në pozicionimin që do të merr Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës. Si figurë popullore dhe kryetar që është përpjekur të sjellë një frymë të re qeverisëse, me të drejtë të dy grupet e ndara do të donin ta kenin përkrahë tyre.

Bazuar në emrat e të pakënaqurve, shumica kryesisht bashkëpunëtorë të afërt të tij, nuk është larg mendsh se kundërshtarët politikë fërkojnë duart dhe presin edhe daljen e tij definitive nga Vetëvendosje. Kjo po që do të ndikonte në votën e këtij subjekti politik, pasi që për dallim nga të tjerët, Shpend Ahmeti ka arritur të ndërtojë figurën dhe identitetin e tij, pa pasur nevojë që të ngjajë në të tjerë, pos në vetveten.

Nëse do të ndaja mendimin e njëjtë me ata që i fyejnë kësaj ndarje dhe investojnë në media që kjo të ndodhë sa më parë, pa dyshim se do ta rendisja “copy-paste” një listë arsyesh. Madje, me lehtësi do t’i rekomandoja daljen nga Vetëvendosje. Mirëpo, për ta bërë këtë do të duhej ta kisha edhe një motiv shtesë, të ultë dhe shumë jo njerëzor – shfrytëzimin pozitës së tij “midis dy zjarreve” që ta afrosh drejt “zjarrit” që të shkrumbon shpejtë. Të konsumon dhe të bën hi ende pa arritur të “ngrohesh” me idenë e një partie të re, në krye të së cilës do të jenë kryesisht individualistë dhe protagonistë që nuk ngjajnë “as në mish, as në peshk”. Njerëz që gjejnë strehimore të përkohshme apo individë që kanë krijuar urrejtje ndaj atyre që i mbajnë mend kur kanë qenë askushi.

Sidoqoftë, Shpend Ahmeti ngjan në politikan racional, i cili ka kapacitet të llogarisë edhe interesin e përgjithshëm, situatën në të cilën kalojmë si popull dhe mundësinë që ka për të dëshmuar se si politikan më shumë sesa për fatin e tij politik, brengoset për të ardhmen e fëmijëve tanë – të tij.

Ai më mirë se kushdo tjetër duhet ta dijë se “të pakënaqurit” në të vërtetë janë lodhur nga të qenit gjatë në opozitë. Se ata me çdo kusht duan pushtet dhe Shpendi është një biletë hyrëse që realizon ambiciet e tyre të verbëra. Por, mbetet të shihet vetëm nëse edhe Shpendi është verbëruar gjatë kësaj kohe sa ishte në pushtet dhe do të zhgënjejë ata që besuan se e kishte me gjithë mend kur shprehej se do të jetë i pakompromis për luftimin e krimit dhe korrupsionit!

Sidoqoftë dhe çka do që të ndodhë nuk duhet harruar as pandehmat se pas gjithë këtyre ndodhive në VV qëndron i “buti” dhe gjithmonë i “asnjëanshmi” Shpend Ahmeti. Më në fund kurrë nuk ka mjaftuar të merresh me atë që sheh nëse nuk mund ta ngritësh perden e të vështrosh edhe kush fshihet pas saj. E, sa u përket lojërave pas perdes, ka të tillë që thonë se Shpend Ahmeti është mjeshtër i patejkalueshëm i tyre. Sa mund t’iu besohet pohimeve të tilla varet nga prirja e cilitdo nga ne. Edhe ashtu, në fund çdo gjë gje do e mohojë apo vertetojë sjellja e ardhshme e Shpend Ahmetit.

Thënë shkurt e shqip: radhitja e tij ne grupin e te “pakënaqurve ë” ska si të mos merret si dëshmi se ai jo tani në ndërkohë, por gjithmonë ka qenë nxitës i përçarjes dhe i përcaktuar të jetë me ata që duan ta rrënojnë autoritetin e Albin Kurtin. Apo me ata që interesin e VV e kanë barazuar me interesin dhe ambiciet e veta politike./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme