Shqipëri-Izrael, moviola i jep të drejtë arbitrit turko-gjerman

E hëne 14 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Dy kartonë të kuq me Shqipërinë që e mbylli ndeshjen me Izraelin më 9 lojtarë. Dy 11-metërsha të akorduar për miqtë. Ajo që ndodhi në sfidën kualifikuese në Elbasan Arena duket e pabesueshme, megjithatë arbitri turko-gjerman, Aytekin nuk gaboi në asnjë moment.

Në analizën e moviolës së dy episodeve që vendosën ndeshjen, Sokol Jareci, në postin e shefit të rekrutimit të arbitrave të rinj në Federatën e Futbollit dhe që për një dekadë ka mbajtur stemën e FIFA-s në Shqipëri, sqaron çdo episod.

Për penalltinë e shkaktuar nga Gjimshiti:

“Prej 1 Qershorit kanë hyrë në fuqi ndryshimet në rregullore, për ato momente kur ndërhyrjet në zonë penalizohen me penallti dhe ku specifikohet nëse ndëshkimi i lojtarit që shkakton ndërhyrjen do të jetë me kartonin e verdhë apo me kartonin e kuq. Me karton të verdhë, mbrojtësi ndëshkohet nëse shkakton faull, por është në duel për topin, ndërsa masa disiplinore me karton të kuq vjen në momentin kur ka shtyrje, mbajtje apo tërheqje. Ky rregull bën që rasti i Gjimshitit të ishte për karton të kuq. Argumenti për ti dhënë fund çdo debati është i përcaktuar dhe nuk lë vend për interpretime”.

Në rastin konkret topin e ka në zotërim sulmuesi i Izraelit, ndërsa Gjimshiti e kishte pothuajse të pamundur për ta arritur. Kjo është një situatë ky arbitri ishte i saktë në zbatimin e rregullores. Kemi disa momente të evidentuara edhe nga FIFA dhe UEFA për raste të ngjashme si ky i Gjimshitit, ku lojtari që nuk është i interesuar për topin ndëshkohet me karton të kuq, ndërsa skuadra penalizohet me penallti. Janë episode ku duhet të saktësohet kriteri”, thotë Jareci për Super Sport.

Sipas ish-bilbilit ndërkombëtar, mbrojtësi kuqezi kishte vetëm një mundësi për të mos u ndëshkuar me kartonin e kuq:

“E vetmja mundësi e Gjimshitit për të evituar kartonin e kuq ishte të ndërhynte në sparkatë, për ti treguar gjyqtarit që synon ndërhyrjen te topi. Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe elitën e futbollit në Gjermani, ku megjithëse e pengon sulmuesin në një moment të pastër goli, ndërhyrja ndëshkohet si 11-metërsh ndërsa mbrojtësi vetëm me kartonin e verdhë, sepse ishte në spërkatë”.

Asnjë vend për debat edhe në rastin e kartonit të dytë të kuq për Shqipërinë dhe për 11-metërshin e dytë të Izraelit. Çdo gjë ishte konform rregullave, edhe pse loja vazhdoi shumë larg portës së mbrojtur nga Etrit Berisha:

“Edhe kartoni i kuq i portierit Berisha ishte i saktë, duke u zbatuar rregullorja që e tregon qartë. Nëse ndodh një sjellje e parregullt, gjyqtari ndërpret lojën e cila nis me masë teknike në vendin ku ndodhi situata. Në rastin e Shqipërisë kjo ndodhi në zonë dhe pas sinjalizimit të asistentit, arbitri akordoi me të drejtë penallti, ndërsa Berisha u ndëshkua me karton të kuq për sjellje të dhunshme në fushë”.