Shtatzënë në moshën 50-vjeçare

Sakte.net  /  E enjte, 13 Tetor 2016  –  09:53

Në moshën 50-vjeçare, këngëtarja Janet Jackson realizon ëndrrën e saj për t’u bërë nënë. Ajo ka konfirmuar se është shtatzënë me fëmijën e saj të parë dhe pozon me barkun e fryrë për revistën “People”.
“Falënderoj Zotin që na bekoi”, shprehet Jackson duke i dhënë kështu fund spekulimeve që po qarkullonin nga muaji prill, kur njoftoi shtyrjen e turneut të saj “Unbreakable” me pretendimin se bashkë me të shoqin Wissam al-Mana do të fokusoheshin tek familja.

Së fundmi u fotografua në Londër ndërsa blinte veshje për fëmijë. “People” citon një burim të afërt të këngëtares që thotë se ajo është super e lumtur për shtatzëninë, dhe se gjithçka po shkon shumë mirë.

Në një video të postuar në muajin prill, motra e Micheal Jackson tha fansave se do të ndërpriste turneun e saj për shkak të një ndryshimi të papritur.

“Mendova se ishte e rëndësishme që ju ta dinit të parët. Unë dhe bashkëshorti po planifikojmë familjen tonë. Ju lutem të më kuptoni se për mua është e rëndësishme”, shkruante Jackson.

/ Top Channel

Foto Galeri