Tani e ka radhën Nora Gjakova

Nora Gjakova do të zbresë sot në parket, në kërkim të suksesit në Olimpiadën e Rios. Xhudistja kosovare do të tentojë ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar, kur ishte bërë garuesja e parë dhe e vetme që fitoi medalje të bronztë në Lojërat Verore të Bakusë në Azerbajxhan.

Nora ndihet e gatshme për këtë sfidë, edhe pse së fundmi e ka përshkuar një lëndim në miniskus, i cili e ka shqetësuar trajnerin Driton Kuka, shkruan Zëri.

“Nora ka pasur fat jashtëzakonisht të madh në short, por lëndimi na bën pak nervozë për arsye se ajo nuk është në 100 përqindëshin e saj. Sidoqoftë, shpresoj se në kokën e saj do të ketë një ndryshim pozitiv rreth këtij lëndimi dhe ajo do ta tejkalojë vetveten, sepse realisht kundërshtaret që i ka në grup nuk janë në nivelin e saj”, ka thënë Kuka.

“Kolumbianen Amaris Yadinis e ka mposhtur në të kaluarën shumë lehtë. Mandej në luftën e dytë do të duhej të ndeshej me rumunen Corina Caprioriu, të cilën e ka mposhtur në Lojërat Evropiane në çerekfinale në Baku”, shtoi Kuka.

Sidoqoftë, trajneri pejan shpreson që djersa dhe mundi i bërë në muajt apo vitet e fundit, do t’i shpërblehet xhudos kosovare. Ai ka besim në garueset e tij, në këtë rast, në Norën, e cila e feston ditëlindjen e 24-t më 17 gusht.

“Jemi pak nervozë, por shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Kemi bërë përgatitje të jashtëzakonshme, por tani gjithçka mbetet në duart e garueseve tona. Shpresoj të kemi fat e të shkojë gjithçka siç duhet”, përfundoi Kuka, përcjellë Zëri.

Nora është gati

Pra, në rrethin e parë, në kategorinë 57 kilogramë, Nora do të përballet me kolumbianen Yadinys Amaris, ndërsa në të dytën, nëse e kalon fazën e parë, e pret rumunia Corina Caprioriu.

“Jam shumë e gëzuar që krahas Majlinda Kelmendit kam arritur ta fitoj normën olimpike dhe të jem pjesë e ekipit olimpik me normë të fituar. Është kënaqësi dhe krenari të marr pjesë për shtetin tonë të ri në Olimpiadë. Në Rio shkoj të prezantohem denjësisht. Pasi shorti ka qëlluar i favorshëm, do të kem gjasa reale të hyj në zonën e medaljeve. Por, për mua vetë kualifikimi është sukses i madh”, ka thënë 23-vjeçarja për “Zërin”.

Nora dhe Majlinda janë dy garueset që e kanë siguruar pjesëmarrjen në Olimpiadë falë normës olimpike, ndërsa Kosova i ka edhe gjashtë garues tjerë në “Rio 2016”, të cilët kanë shkuar në Brazil falë ftesave. /Zëri

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme