Tevez në Kinë, 80 mln Euro për dy vjet

Tashmë është zyrtare. Carlos Tevez largohet nga Boca Juniors për të vazhduar karrierën në Kinë. Sulmuesi argjentinas transferohet te Shanghai Shenhua, ku do të përfitojë plot 80 milionë euro për dy vjet, duke u shndërruar në këtë mënyrë në lojtarin më të paguar në botë. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Boca Juniors theksoi se “klubi respektoi dëshirën e futbollistit për ta vazhduar karrierën në vendin aziatik”. Në dedikimin për “Apashin” shkruhej: “Paç fat Carlitos, do të jesh gjithmonë në zemrat tona!”.

Sulmuesi ishte kthyer në Buenos Aires në Qershor të 2015-ës, pasi i dha fund aventurës 2-vjeçare të mbushur me suksese te Juventusi në Serinë A italiane. Tevez u kthye për të dytën herë te Boca Juniors, ku në 56 ndeshje shënoi 25 gola, duke fituar edhe dy tituj. Tashmë “Apashi” ngrihet në fluturim për një tjetër aventurë në Azinë e largët.

Kjo mund të jetë etapa e fundit në karrierë për 32-vjeçarin. Një aventurë milionere në kampionatin kinez, nga e cila do të përfitojë më tepër se 3 milionë euro në muaj.