Tifozët çojnë sërish Kosovën në “bankën e zezë” të FIFA-s

Kosova i ka luajtur vetëm dy ndeshje si vendase në kuadër të eliminatoreve për kampionatin botëror të futbollit “Rusia 2018”, shkruan sot Koha Ditore.

Për ndeshjen e parë, atë ndaj Kroacisë, të luajtur më 6 tetor të vitit të kaluar në Shkodër, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tashmë ka marrë një gjobë nga FIFA si organizatore e kualifikimeve për botëror. Por FFK-ja, përkatësisht Kosova, mund të dënohet edhe për ndeshjen e dytë, atë ndaj Islandës të luajtur më 24 mars po ashtu në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Kosova e ka humbur 2:1 ndeshjen ndaj Islandës, ndërsa FIFA ka vlerësuar se sjelljet e shikuesve nuk ishin krejt në përputhje me rregulloret në fuqi. Kështu mund të interpretohet hapja e procedurës ndaj FFK-së, si organizatore e ndeshjes.

FFK-së pos vështirësive për të organizuar ndeshjet në mungesë të një stadiumi që plotëson kriteret në Kosovë po i dalin telashe edhe nga sjelljet e shikuesve.