Gazetar: Mihaillo Donev
Së bashku me Komisionin Kundër Korrupsionit dhe Entin Shtetëror të Revizionit, japim përgjigje të përbashkët për të gjithë ata që i keqpërdorin financat publike, theksoi sot prokurori publik republikan Ljupço Kocevski, duke folur në konferencë për lidhjen e këtyre tri institucioneve në luftën kundër korrupsionit. Lidhur me përpjekjet e Prokurorisë Publike, Kocevski paralajmëroi hetime më të gjera në të ardhmen.
“Në çdo lëndë më serioze, në të cilin konstatohet përfitim pasuror i fituar në mënyrë të paligjshme, veçanërisht në rastet e trajtuara nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, do të kryhet hetim i detajuar financiar jo vetëm ndaj autorëve të veprave penale por edhe kundër të gjithë personave të lidhur me to”, tha Lupço Kocevski, prokuror publik republikan.
Sipas kryetares së Komisionit Kundër Korrupsionit, këto institucione duhet të luftojnë bashkërisht korrupsionin, sepse kështu shteti humb miliarda dollarë në vit.
“Korrupsioni, sidomos kur flasim për korrupsion sistematik dhe thellësisht të inkorporuar, sigurisht që pengon zhvillimin e shoqërisë dhe investimet e nevojshme në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe mjedis. Sigurisht që korrupsionin e paguajmë shumë shtrenjtë, janë miliarda dollarë në vit, si investime të munguara që do të thotë edhe zhvillim i munguar i vendit tonë”, u shpreh Tatjana Dimitrovska, kryetare e KSHPK.
Paneli i sotëm u mbajt me qëllim të prezantimit të pikëpamjeve për përmirësimin e cilësisë së bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit në mes institucioneve të rëndësishme, ndërsa ngjarja u organizua nga ambasada e SHBA-së në vend./ Alsat.mk