U raportua e zhdukur, gjendet pas katër ditësh aktorja e njohur

Aktorja britanike Tanya Fear është gjetur pasi u raportua e zhdukur prej katër ditësh në Los Anxhelos.

Policia u njoftua të hënën rreth orës 11 të mëngjesit me orën lokale se Fear ishte gjetur, raporton “CNN”. Policia tha se nuk ka asnjë hetim penal ose dyshim për rrëmbim.

Për shkak të shqetësimeve për privatësinë e artistes, nuk u bënë të ditura detaje të tjera. Kushërira e Fear thotë se Policia nuk e njoftoi familjen e saj që aktorja ishte gjetur. Shqetësimet për 31-vjeçaren nisën të enjten e kaluar.

Fear u raportua e zhdukur më 9 shtator nga miqtë dhe familja e saj.

Duke përdorur hashtagun #FindTanyaFear në mediat sociale, të dashurit e saj u lutën për ndihmën e publikut për të mbledhur informacion në lidhje me vendndodhjen e saj.

Fear ka luajtur rolin e Dr. Jade McIntyre në një episod të vitit 2018 të “Doctor Who”.

Ajo është shfaqur edhe në filmin e vitit 2015 “A Moving Image”, si dhe tek “Kick-ass 2” dhe “Spotless”.

Image