Vettel dominon në Bahrein, Ferrari bën ligjin në shkretëtirë

Në pistën e Sakhir, u zhvilluan sot dy sesionet e para të provave të lira në Formula 1, të vlefshme për Çmimin e Madh të Bahrein, garë e cila do të zhvillohet ditën e diel. Në të dyja sesionet makina më e shpejtë në pistë ishte ajo e Ferrarit, që dominoi me pilotin gjerman Sebastian Vettel. Ai dha kohën 1’31”310, duke qenë një “vetëtimë në mes të shkretëtirës”, pasi askush nuk arriti ta mposhtë pilotin e makinës “kokëkuqe”. Në vendin e dytë u rendit Valtteri Bottas me Mercedes dhe pas tij makina Red Bull e Daniel Rocciardo. Vetëm i katërti Kimi Raikkonen me makinën tjetër Ferrari dhe pas tij britaniku i Mercedes, Lewis Hamilton.Bottas dhe Ricciardo ne pisten e Sakhir

Pavarësisht se Ferarri ishte makina më e shpejtë në pistë, gjatë paradites “kokëkuqja” pati probleme me Raikkonen, që u detyrua të hapte krahun për shkak të një defekti. Por mekanikët bënë mrekullinë dhe e bënë gati njëvendëshen për provat e pasdites, por ai që pati më pas probleme mekanike ishte Vettel. Pra, makina italiane tregoi se mund të ketë probleme me besueshmërinë gjatë garës. Ai që zhgënjeu sot ishte Hamilton, i 11-ti gjatë paradites, por gjatë pasdites i përmirësoi kohët. Max Verstappen (Red Bull) i mbylli testet në vendin e tetë, ndërsa Fernando Alonso në vendin e 14-të. Nesër, në orën 17:00 do të zhvillohet provat e zyrtare dhe të dielën, po në këtë orë, zhvillohet gara.