“Yahoo” ka skanuar në fshehtësi “e-mail”-et tuaja

Zotëroni një adresë “e-mail”-i tek “Yahoo”? Një arsye më shumë për të hequr dorë e për t’iu drejtuar ofruesve të tjerë të komunikimeve përmes postës elektronike.

Një raport i publikuar së fundmi tregon se “Yahoo” ka skanuar në mënyrë sekrete miliona llogari “e-mail”-i të përdoruesve të saj në favor të qeverisë amerikane.

Agjencia e lajmeve “Reuters” tha se gjiganti i elektronikës ka krijuar një program special vitin e kaluar, për t’iu përshtatur apo për të qenë në përputhje me kërkesën e klasifikuar të Shteteve të Bashkuara.

“Yahoo është një kompani që u bindet ligjeve, e që vepron në përputhje të plotë me ato në Shtetet e Bashkuara”, ishte reagimi i firmës në një deklaratë të dhënë për “BBC”-në, transmeton Tch.

Akuzat vijnë më pak se dy javë pasi vet “Yahoo”-ja bëri të ditur se hakerët kishin vjedhur të dhënat e shumë prej përdoruesve të saj.

Aktualisht, “Yahoo”-ja është në një proces shitjeje te “Verizon Communications”, pas një marrëveshjeje paraprake prej 4.8 miliardë dollarësh. Ndaj dhe rrjeti në fjalë refuzoi të jepte një shpjegim mbi raportin e publikuar.

Sipas asaj që bën të ditur “Reuters”, skanimet ishin kërkuar ndoshta prej Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), apo prej FBI-së, e këtë e thekson bazuar mbi 3 burime të ndryshme, dy prej të cilëve thotë se kanë qenë ish-punonjës të “Yahoo”-së.

Agjencia e lajmeve bëri të ditur gjithashtu se programi në fjalë kishte skanuar një sërë karakteresh brenda të gjitha “e-mail”-eve të ardhura, por shton se nuk ka mundur të përcaktojë se çfarë informacioni iu është ofruar kërkuesve. Madje, nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë edhe nëse kompani të tjera të tilla kanë marrë apo jo të njëjtën kërkesë.

Sipas ligjit amerikan, agjencive të kundërzbulimit u lejohet të urdhërojnë dërgimin e të dhënave të klientëve, me anë të të cilave ata mendojnë se mund të parandalojnë ndonjë sulm terrorist, mes shumë arsyeve të tjera.

Kompanitë, në fakt, mund t’i sfidojnë të tilla kërkesa në Gjykatën e Mbikëqyrjes së Inteligjencës së Jashtme (FISC), edhe pa e bërë fare publike. Por “Reuters” bën të ditur se “Yahoo”-ja ka vendosur të mos luftojë ligjërisht në këtë rast, sepse – sipas asaj që thuhet, – kompania mendonte se do ta humbiste këtë betejë ligjore. Ky vendim ka irrituar gjithashtu punonjësit aktualë të “Yahoo”-së.

Informatori Edward Snowden, i cili ka publikuar më herët detaje mbi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për spiunazh kibernetik, ka reaguar në “Twitter” në përgjigje të akuzave të paverifikuara. Ja çfarë shkruan ai:

“Jeni duke përdorur ‘Yahoo’-në? Ata ju kanë skanuar gjithçka keni shkruar në fshehtësi… Mbylleni sot llogarinë tuaj”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme