Zyrtare, Nojer i dëmtuar rëndë, humbet sezonin

Portieri i Bajernit dhe kombëtare së Gjermanisë, Manuel Nojer, konfirmohet edhe zyrtarisht i dëmtuar dhe do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit. Gardiani i skuadrës bavareze i dëmtua në ndeshjen kundër Realit të Madridit dhe mediat konfirmuar dje se pas rezonancës së bërë rezulton se ai ka dëmtim të rëndë në gju, e për pasojë nuk do të luajë në ndeshjet e mbetura nga ky sezon në Bundesligë.

Behet fjalë për disa inde të quajtur metatarsal dhe që kërkojnë të paktën dy muaj kohë të rikuperohen. Ka qenë vetë Nojer që është shprehur për sajtin zyrtar të Bajernit se nuk do të luajë në ndeshjet e ardhshme dhe se i vinte keq që nuk do ta ndihmonte ekipin në këto javë të mbetura të Bundesligës gjermane. Nojer nuk do të kërkojë të operohet, por ai do të bëjë pushim gjatë kësaj kohe që të rikuperohet, për pasojë nuk do të luajë në ndeshjet e ardhshme”, shkruajnë mediat gjermane.

Nga ana tjetër vetë Nojer ka fjalë urimi për skuadrën. “Tani jam i përqendruar te shëndeti im, sepse më duhet të rikuperohem nga një dëmtim në këmbë. Natyrisht, unë jam i trishtuar që nuk do të ndihmojë shokët e skuadrës dhe nuk do të jem në dispozicion të trajnerit për ndeshjet finale të sezonit. Gjithsesi, jam i fokusuar te shëndeti dhe kjo është gjëja më e rëndësishme që mund të bëj për momentin”, shkruan Nojer. Mungesa e tij shihet shqetësuese për Bajernin në kampionatin gjerman, pavarësisht se skuadra bavareze ndodhet tetë pikë para Leipziguit të vendit të dytë dhe është shumë pranë një suksesi të madh në futbollin vendas, pra ka gjasa të mëdha të fitojë titullin kampion. Sven Ulhriç do ta zëvendësojë Nojerin duke nisur nga ndeshja e së shtunës në “Allianz Arena” përballë Mainzit. Të mërkurën e ardhshme Bajerni do të ketë një tjetër ndeshje të madhe, sepse do të përballet në Kupë me Borusian e Dortmundit, një ndeshje që mund të jetë përcaktuese për fatet e trofeut të këtij aktiviteti. Një ndeshje që cilësohet edhe si finale e parakohshme dhe mungesa e Nojerit është seriozisht shqetësuese. Dihet pesha e gardianit të kombëtares gjermane në duelet e Bajernit të Mynihut. Këtë Nojer e tregoi dhe në dy ndeshjet që Bajerni zhvilloi në çerekfinale të Ligës së Kampioneve përballë Realit të Madridit, duke bërë pritje fenomenale.

Nëse Bajerni arriti të rivalizonte Realin e madje ta rrezikonte edhe me eliminim (do të ndodhte nëse një gjyqtar si Viktor Kasai nuk do ta bastërdonte ndeshjen me vendimet e tij skandaloze) ishte edhe për meritën e veçantë të Nojerit. Portieri u dëmtua në atë takim dhe ishte e qartë se ai luajti minutat e fundit të ndeshjes i sforcuar dhe me dhimbje, por e bëri këtë sakrificë për shokët e skuadrës dhe dëshirën e madhe që Bajerni të dilte triumfator nga ndeshja me “Los Blancois”, pavarësisht se të gjitha përpjekjet shkuan dëm.