Me ftesë të homologut Iranian Mohammad Javad Zarif, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë zyrtare në Teheran. Gjatë vizitës së tij dy ditore, Ministri Bushati zhvilloi takime me Presidentin Rouhani, homologun e tij Zarif, Kryetarin e Grupit Parlamentar të miqësisë Iran-Shqipëri, Kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Bujqësisë dhe Minierave si dhe Kryetaren e Agjencisë për Trashëgiminë Kulturore dhe Turizmin.
Në të gjitha takimet ministri Bushati parashtroi kërkesën ndaj qeverisë së Iranit për njohjen e Kosovës si një hap tejet i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore, ka bërë të ditur kumtesa nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Ministri Bushati ndër të tjerash shprehu vlerësimin për rolin e qeverisë iraniane dhe vetë Presidentit në arritjen e marrëveshjes për programin bërthamor të Iranit me aktorët ndërkombëtarë, si një marrëveshje në shërbim të sigurisë dhe paqes në botë.
Presidenti Rouhani vlerësoi miqësinë mes dy popujve si dhe nënvizoi rëndësinë e shfrytëzimit të potencialeve për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe.
Gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm, palët nënshkruan një Memorandum mirëkuptimi për konsultimet diplomatike. Duke vlerësuar hapat për rigjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe, dy ministrat ranë dakord mbi nevojën për të forcuar kuadrin ligjor të bashkëpunimit, në mënyrë të veçantë në fushën e shkëmbimeve tregtare, turizmit dhe kulturës. Në këtë kontekst, bashkëpunimi parlamentar u konsiderua si element i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Dy palët vlerësuan gjithashtu rëndësinë e vendosjes së kontakteve dhe inkurajuan shkëmbimin e informacioneve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.
Ministrat shkëmbyen pikpamje dhe qëndrime rreth zhvillimeve ndërkombëtare, veçanërisht situatën në Lindjen e Mesme, luftën ndaj terrorizmit dhe nevojën për përpjekje të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për t’u përballur me këto sfida.
Në të gjitha takimet Ministri Bushati parashtroi kërkesën ndaj qeverisë së Iranit për njohjen e Kosovës si një hap tejet i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit në rajonin e Europës Juglindore./KosovaPress/