Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka iniciuar shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe i është dërguar Kuvendit të Kosovës për miratim.
Kërkesa për shkarkim të Bordit të RTK-së ka ardhur nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ndërsa është përkrahur vetëm nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Administratë Publike, derisa deputetët e opozitës e kanë quajtur vendim politik.
Kryetarja e komisionit Doarsa Kica-Xhelili, ka lexuar arsyet që janë dhënë nga komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për shkarkimin e bordit të RTK-së, derisa tha se shihet qartë që ka shkelje të Ligjit për RTK nga të njëjtit.
Xhelili: Po shihet që janë identifikuar shkeljet e nenit 28 dhe 29
“Dështimi i auditimit gjeneral, insistimi i menaxhmentit për mos auditim që është dështimi për të përpiluar strategji afatgjate për zhvillim dhe financim të RTK-së dhe shkeljen e nenit 12 mbi produksionet e pavarura dhe Ligjin e prokurimit publik. Të gjitha këto duke rënë nënkompetencat e Bordit të RTK-së në përputhje me nenin 28 dhe 29 të Ligjit për RTK-në dhe nga adresimi i Komisionit për Buxhet po shihet që janë identifikuar shkeljet e nenit 28 dhe 29”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, e ka quajtur vendim politik inicimin e shkarkimit të bordit të RTK-së.
Lushtaku: Ne e dimë që këto shkarkime po bëhen për çështje politike
“Mediumi RTK e dimë shumë mirë ka ngecje të mëdha pavarësisht mbështetjes që ka jep ky Kuvend dhe institucionet publike, por besoj që të gjeturat nuk kanë qenë evidente që të ketë një shkarkim të tillë, për arsye se kemi pasur vakumin ligjor në këtë drejtim…E shohim që vullnet për shkarkim dhe sigurisht është një vullnet i shumicës, ne e dimë që këto shkarkime po bëhen për çështje politike”, tha ai.
Edhe deputeti i LDK-së Agim Veliu, tha se një vendim i tillë është tërësisht politik dhe me qëllim të kapjes së mediumit publik.
Veliu: ky rekomandim është tërësisht politik dhe me qëllim të kapjes së mediumit publik
“Për mendimin tim nuk është bërë një vlerësim meritor i bordit, sepse ai bord natyrisht ka edhe lëshime, mirëpo po më duket që ky rekomandim është tërësisht politik dhe me qëllim të kapjes së mediumit që është publik e që duhet të jetë i pavarur. Rekomandimet që jep Komisioni për buxhet dhe transfere për mua nuk janë bindëse dhe tek rekomandimi i dytë besoj unë që nuk do të duhej të jepej një rekomandim i tillë bordi i ri duhet të jetë, edhe pse është me gabime drejtshkrimore, personalitete me integritet të lartë profesional e etik, duhet të mandatohet për këtë për atë, do të thotë Komisioni nuk do të duhej këtë rekomandim në këtë formë, sepse unë besoj që ata të cilët pretendojnë të jenë anëtarë të një bordi janë edhe ato kriteret ligjore që duhet t’i plotësojnë. Edhe fakti i shkarkimit tërësisht i bordit mendoj që është dashur të bëhet vlerësim për secilin anëtar të bordit e jo në këtë formë i gjithë bordit se ndoshta ndonjë prej anëtarëve të bordit ka pasur një performancë të mirë. Është tërësisht një veprim politik, ju e keni shumicën mund ta bëni, por për mua kjo formë është e papranueshme”, tha Veliu.
Vlerësimet e deputetëve të opozitës se vendimi është politik i ka kundërshtuar deputeti i LVV-së Valon Ramadani, i cili tha se në Televizionin Publik ka abuzime të shumta dhe se Prokuroria duhet të merret me këtë çështje.
Ramadani: E dinë krejt që RTK është e kapur edhe RTK ka nevojë për një reformim
“Unë mendoj që ky bord edhe bordet paraprake nuk e kanë kryer detyrën siç duhet, nuk kanë dhënë llogari, në vit janë diku 15 milionë euro që RTK i shpenzon llogaridhënia është zero. Aty ka keqpërdorime, ka abuzime të asaj forme që prokurori duhet me u marr sa më shpejt me këtë çështje, është dashur me u marr faktikisht, por duhet me u marr për shkak se ka pasur edhe publikime të kontratave, të abuzimeve, e të punësimeve e lloj-lloj e dinë edhe qytetarët e Kosovës se kjo është publike tashmë. E dinë krejt që RTK është e kapur edhe RTK ka nevojë për një reformim, se janë 15 milionë euro të buxhetit të Kosovës që duhet në fund të vitit me dhënë llogari. Nëse dikush nuk ka dhënë llogari duhet të jep dorëheqje, nëse nuk ka dhënë dorëheqje duhet me u shkarkua se kjo është e paraparë edhe me ligjet edhe me rregulloret”, tha ai.
Vlerësimi nga opozita se vendimi për inicimin e shkarkimit të Bordit të RTK-së është politik ka përplasur kryetaren e këtij komisioni me deputetët e opozitës.
Kryetarja e Komisionit, Doarsa Kica-Xhelili, tha se është e papranueshme që nuk përmenden shkeljet e shumta që janë bërë nga Bordi i RTK-së por vetëm quhet vendim politik.
Xhelili: Nuk po më interesojnë se kam vendosur çdo shkarkim me e quajt politik
“Me u politizua 12, 13 milionë euro të vitit të xhepit të qytetarit të Republikës së Kosovës edhe me thënë unë po e mbylli rekomandimin e Komisionit për buxhet, nuk po më intereson çka kanë rekomanduar këta, nuk po më intereson çka kanë trajtuar këta, as krejt këto shkelje që jeni t’u i përmend sot të kompetencave të këtij bordi të nenin 28, 29 nuk po më interesojnë se kam vendosur çdo shkarkim me e quajt politik. Ndoshta edhe ka me pas shkarkime politike, ndoshta, por dallimi z.Lushtaku dhe z.Veliu bëhet atëherë kur ju nuk e përdorni këtë refren për secilin shkarkim. Sepse me thënë që bordi i RTK-së ka përformuar mjaftueshëm për ti justifikuar 13 milionë euro që i pranojnë për mua është e papranueshme”, tha ajo.
Asaj i ka reaguar deputeti i LDK-së, Agim Veliu, i cili tha se ai ka mendimin e tij dhe se nuk ka nevojë që të mbahen ligjërata se si duhet të flasin e sillen në Komision.
Veliu: Nuk mund të na mbani ligjërata se si duhet të flasim
“Unë jam anëtar i Komisionit dhe nuk i nënshtrohem mendimit tuaj, ju mund ta keni mendimin tuaj, por nuk mund të na mbani ligjërata se si duhet të flasim, si duhet të sillemi këtu. Unë kam mendimin tim pavarësisht ai a përputhet me tuajin a jo unë e jap mendimin tim”, tha ai.
Në mbledhje të këtij komisioni, kryetarja Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar edhe për deklaratën e zëvendësdrejtorit të RTK-së Mentor Shala drejtuar asaj, e cila tha se asgjë nuk mund të ndikojë në mendimin e sa të lirë për çështje esenciale.
Xhelili: Nuk kam reaguar është se ditën e kam lexuar reagimin për mua nuk ka qenë as i rëndësishëm
“Arsyeja pse nuk kam reaguar është se ditën e kam lexuar reagimin për mua nuk ka qenë as i rëndësishëm, pse, sepse për mua personalisht kush e si flet, kush e çka poston në asnjë rrethanë mua nuk ma ndikon mendimin tim të lirë dhe të drejtë për çështje kaq esenciale. Në qoftë se dikush ka diçka për të kundërargumentu për ato që i them unë, unë e gatshme me dalë në debate publike dhe në debate private kur ato kërkohen në mënyrë të denjë. Për shkak se kanë reaguar në masë të madhe shoqëria civile, mediat dhe qytetarët e thjeshtë të Republikës së Kosovës, unë po dua me ardhë te pika të tjetër që të premten unë nuk kam qenë zëri i qytetarëve të Kosovës, kanë qenë ata zëri im, dhe mendoj që ky është një borxh reciprok”, tha ajo.
Me miratimin e të gjithë anëtarëve të këtij Komisionit i është dërguar kërkesa kryesisë së Kuvendit që bordet të cilat i raportojnë këtij komisioni të përfshihen në listën që mbikëqyret nga memorandumi i bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe.