Sa herë vjen data 10 e muajit shkurt Arlinda Xheladini bashkë me djalin e vetëm niset drejt varrezave në Dragodan. Me buqetë lulesh Arlinda me të birin përveq varrezave cak e ka edhe sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, aty ku më 10 shkurt të vitit 2007 u vra bashkëshorti i saj Arben Xheladini.
30 vjeçari nga Prishtina është vrarë nga policia rumune e UNMIK-ut ditën kur në Prishtinë po bëhej një demonstratë e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kundërshtim të Pakos së Ahtisarit.
Bashkë me Arbenin u vra edhe i riu nga Podujeva, Mon Balaj si dhe u plagosën rreth 80 persona tjerë.
Askush nuk u dënua për vrasjen e Arbenit dhe Monit ndonëse u vërtetua se plumbat e gomës që përdorën policët rumunë të UNMIK-ut u kishte skaduar afati.
Kontingjenti i policëve rumunë u kthye në atdheun e tyre pa u ndëshkuar pasi në Kosovë gëzonin imunitet.
Arlinda Xheladini tha se për ta zbardhur vrasjen e Arbenit dhe Monit kanë angazhuar avokatë edhe nga Anglia, por që nuk po arrihet që drejtësia të vihet në vend.
Sipas saj tragjedia e 10 shkurtit e vitit 2007 bashkoi dy familjet që humbën më të dashurit e tyre.
Për të nderuar Arbenin dhe Monin përveç familjeve Xheladini dhe Balaj kanë dalë edhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ata vendosën lule pranë pllakës përkujtimore që u ngrit për nder të rënies së Arbenit dhe Monit.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se protesta e 10 shkurtit të vitit 2007 u organizua për të kundërshtuar planin e Ahtisarit, plan ky i cili sipas tij do të bënte ndarje etnike dhe pamundësonte shtetësinë e vërtetë të Kosovës.
Ai theksoi se ajo protestë përballi dy palë, palën e njerëzve që dëshironin të kenë një komb dhe liri të plotë dhe palën e makinerisë së pushtetit që shtypi këta njerëz me një dhunë të paparë.
Ndër tjerash, Konjufca kujtoi çastet që shënuan edhe vdekjen e këtyre dy njerëzve, Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si pasojë e policëve të armatosur të UNMIK-ut. Ai cilësoi sjelljen e politikanëve të asaj kohe si të pandershme sepse sipas tij, në vend që të mbronte popullin e vet, ata dolën në mbrojtje të dhunës së egër të policisë së UNMIK-ut.
Në 10 vjetorin e rënies janë bërë homazhe edhe tek varrezat e Arbenit dhe Monit, në Prishtinë përkatësisht në Podujevë, ndërsa për nder të 10 vjetorit të demonstratës së shkurtit Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një ekspozitë me fotografi nga dita e demonstratës si dhe do të mbajë një tribunë ku do të mbajnë fjalime Albin Kurti dhe Visar Ymeri./KosovaPress/