1 shtatori – Dita e përgjegjësisë së madhe

Autore: Donika Kadaj – Bujupi

Deri me 1 shtator na ndajnë edhe shumë pak ditë. Përgjatë kësaj kohe ne përjetojmë ‘deja vu’  historike, siç ndodh shpesh kur punët mbesin të pakryera. Dhe kur padrejtësitë  përsëriten për arsye te njëjta dhe motive qe dallojnë shume pak. Edhe njëherë jemi në udhëkryq, me përgjegjësi të madhe për te gjetur rrugën e drejtë.

2015-ta apo viti i mbrapshtë kur individë të ndodhur në pushtet nënshkruan kapitullimin e shtetit, do të shënohet diku ne histori si një gabim i madh, kur politikanë të dobët e antikombëtarë me një nënshkrim fatal guxuan të rimohojnë të arriturat e fituara me gjak duke sakrifikuar mundin e  brezave. Duke vrarë shtetin e lindur me shumë dhimbje, veç pak kohë më parë. Dhe duke u dorëzuar para këtyre dhimbjeve, për te mos duruar  sfidat e rritjes, ata nënshkruan amputimin e vendit, në veri e perëndim. Harruan se gjakderdhja nga ky amputim do të jetë afatgjate dhe vdekjeprurëse për shtetin e brishtë,  te lodhur nga korrupsioni e krimi, nga padrejtësitë shekullore, nga vrasja e ëndrrës së lodhur për të drejta, të arritura, barazi dhe mundësi.

A nuk ndodhi kështu edhe në të kaluarën, që prej Kongresit të Berlinit deri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, kur te tjerët vendosnin për ne? Ose dhe më keq, në rastin e Shën Naumit, kur njëri nga ne vendoste kundër nesh, kundër shtetit e për pushtet.

A nuk po ngjan edhe sot kështu?

Nënshkrimi i dy marrëveshjeve kapitulluese me Serbinë apo precedenti i pashembullt i shkeljes së Kushtetutës së vendit, cënimit të Integritetit territorial dhe dorëzimi i sovranitetit tek  një shtet armik, i cili ende pa u berë dy dekada nga lufta, proklamon ngritjen e shtatores së kasapit te Ballkanit. Është rimohim dhe për këto veprime ka fajtorë me emër dhe mbiemër.  Ka përgjegjës, dhe përgjegjës janë të gjitha ata kalkulues, te cilët sot llogarisin për interesa personale.

Këto marrëveshje, ashtu siç ndodhi edhe në të kaluarën u nënshkruan fshehurzi e në kundërshtim me vullnetin e popullit, derivat i së cilës ishte edhe Rezoluta që obligonte qeverinë të njoftonte Kuvendin para çfarëdo nënshkrimi. Por, Qeveria iku duke e ditur që po bënte faj dhe larg syve të opinionit nënshkroi marrëveshjet. Nënshkruesit u duartrokitën nga ndërmjetuesit, madje ua rrahën edhe krahët. Dhe këta u kthyen në vend të krekosur dhe të kënaqur. Nënshkruan tradhtinë. Për të satën herë nënshkruan copëtimin e mëtutjeshëm të trollit tonë, te trollit i cili u tkurr historikisht, dekadë pas dekade.

Dhe kjo po ndodhë në kohën kur Kosova ende kujton 1998-ën dhe 1999-ën.  Po ndodhë në kohën kur ata qe vranë nuk kërkuan falje, por na akuzuan, e ne u përulem ne emër te fqinjësisë së mirë. Po ndodhë në kohën kur gratë dhe vajzat e dhunuara vazhdojnë te jetojnë për të treguar. Po ndodhë kur nënat e të zhdukurve vazhdojnë në ankthin e pritjes të presin kthimin të dashurve të tyre, të gjallë a të vdekur. Po ndodhë në kohën kur varrezat masive janë ende të paidentifikuara, kur plagët e ushtarëve ende kullojnë gjak. Vazhdon të ndodhë në kohën kur ende s’ka drejtësi, s’ka kërkimfalje e s’ka dëmshpërblim.  Dhe mbi te gjitha, po ndodhë në kohen kur të njëjtit e ’98-së janë në pushtet. Urdhërdhënësit, te cilët për asnjë moment nuk u penduan për veprimet e tyre ndaj nesh.

E ç’bëjmë ne?

Shohim në TV Presidentin e vendit, të veshur me kostum të shtrenjtë, duke u përkulur solemnisht para shtatoreve, ku fajësohen shqiptarët për krime, ku viktima cilësohet si agresor.

Dëgjojmë ‘Pronton’ dhe na vjen keq për orët e humbura në përgatitje të CV’së, netët e gjata gjatë studimeve në konviktet e ftohta të Prishtinës.  Pasi punësimi qenka e drejtë e rezervuar për matrapazët.

E pastaj me mallëngjim shkruajmë e këndojmë  mbi trimëritë, sakrificën e përpjekjet e  vendit tonë të cilit iu bë e padrejtë. Por nga kush? Nga rimohuesit, nga te zgjedhurit tonë? Padyshim. Fajtorë janë ata të cilët për interesa personale rimohuan edhe njëherë të drejtat e fituara me gjak. Mirëpo, përgjegjës është edhe çdonjëri që për të ruajtur rehatinë personale heshtë.  Duke pasur njëmijë arsye për të vepruar , për te protestuar, për të jetuar jetën dinjitetshëm duke mbrojtur të drejtat tona, kërkon një arsye të vetme  për te qëndruar  neutral, i paanshëm përballë krimit. E neutraliteti  ne këtë kohë  përkrah dhunuesin, dhe jo viktimën.

Andaj në këto orë te fundit, para 1 shtatorit, është e domosdoshme qe çdonjëri nga ne të jetë në shesh, në sheshin e çlirimit, për të rikonfirmuar se ky popull nuk pranon rimohim, copëtim e robërim modern. Përkundrazi siç ndodhë ne sheshet e botës, ku qytetarët përditë mbrojnë të drejtat e tyre dhe bëhen bashkë për të luftuar padrejtësi shumë më të vogla. Ne do jemi bashkë, në shesh kundër padrejtësisë së madhe.  Për të ndarë shapin nga sheqeri.

Duke i lënë në një anë fajtorët dhe përgjegjësit dhe duke u radhitë me qytetarin aktiv, i cili proteston vetëdijshëm për te drejtën e tij te pamohueshme.  Sepse toka jonë është shteti jonë!

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme