Gazetare: Melihate Rustemi
Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive aktualisht janë të hospitalizuar 10 pacientë me diagnozë të konfirmuar laboratorikisht të etheve të Nilit Perëndimor. Tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike dhe po trajtohen me ventilim mekanik në njësinë e kujdesit intensiv. Drejtori i Klinikës, Fadil Cana, tha se përveç rasteve të konfirmuara, edhe shtatë pacientë të tjerë janë të shtruar me inflamacion të trurit dhe cipave të trurit, ndërsa janë në pritje të rezultateve laboratorike për të përcaktuar nëse janë të infektuar me virusin.
“Nga këta 10 pacientë, 3 pacientë janë në gjendje kritike dhe gjenden në njësinë e trajtimit intenziv dhe janë në ventilim mekanik. Kemi edhe 7 pacientë të hospitalizuar tek të cilët është përdëftuar se bisedohet për ndezje të trurit dhe cipave të trurit. Te këto pacientë janë të dyshimtë se edhe këto pacientë mund të jenë të prekur nga Ethet e Nilit perëndimor. Të këta është në vijim, në proces mënyra laboratorike e përdëftimit. Pra, duhet pak kohë por ato njëkohësisht trajtohen, janë në gjendje stabile dhe janë të hospitalizuar në repartin për neuroinfeksion”, tha Fadil Cana, drejtor I Klinikës Infektive.
Sipas Canës, pacientët e konfirmuar janë kryesisht mbi moshën 60-vjeçare dhe të gjithë kanë sëmundje shoqëruese. Ai shtoi se, përveç një pacienti që kishte histori udhëtimi jashtë vendit, të gjithë të tjerët janë banorë të Shkupit dhe rrethinës. Cana theksoi se kjo tregon se infeksioni është marrë brenda vendit dhe lidhet me pickimin e mushkonjave të infektuara.
“Kur flasim për pëcientë të cilët kanë anketë epidemiologjike negative, nuk kanë udhëtuar në vendet të cilat trajtohen si vende endemike me Ethet e Nilit perëndimor ajo do të thotë që me lëvizjet që ndodhin, infeksionin ato e kanë marë në vendin tonë, në vendin ku jetojmë. Në këtë fazë mund të thuhet lirisht se nga pickimi i mushkonjave të cilat llogariten si infeksion autokton, i vendit. Janë regjione në të cilat prania e mushkonjave, janë mushkonja të infektuara të cilat e transmetojnë sëmundjen nga ato tek njeriu”, sqaroi Fadil Cana, drejtor i Klinikës Infektive.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Klinikën e Sëmundjeve Infektive është evidentuar edhe një rast i ri i dyshuar me ethet e Nilit Perëndimor. Sipas Ministrisë, po kryhen ekzaminimet e nevojshme për konfirmimin ose përjashtimin laboratorik të sëmundjes. Ministria shtoi se, në koordinim me institucionet kompetente shëndetësore, vazhdon ta monitorojë situatën dhe do ta informojë opinionin me kohë për çdo zhvillim të ri./Alsat.mk.
The post 10 pacientë me ethet e Nilit Perëndimor në Klinikën Infektive, 3 në gjendje kritike appeared first on Alsat.



